Analistët dhe opozita: Samiti i Berlinit nuk i dha fund idesë së korrigjimit të kufirit

Analistët dhe opozita: Samiti i Berlinit nuk i dha fund idesë së korrigjimit të kufirit

Përkundër deklaratave se në Samitin e Berlinit iu dha fund idesë së korrigjimit të kufijve, një gjë të tillë nuk po e shohin analistët politikë dhe opozita në Kosovë.

Ata thonë se pretendimet e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimit të kufijve me anë të lobimit të fuqishëm ka depërtuar shumë thellë.

Analisti politik Behlul Beqaj shprehet se nga Samiti i Berlinit nuk doli diçka konkrete.

Sipas tij, po të mos ishte caktuar takimi i radhës në Paris, do të konsiderohej si i dështuar.

Lexo po ashtu:

Duke përmendur pretendimet për korrigjim të kufijve, Beqaj tha se pikërisht mos arritja e një ujdie në këtë samit është dëshmi se sa thellë ka depërtuar ideja e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve.

“Sikur të ishte caktuar takimi i radhës në Paris në korrik të këtij viti unë do të konsideroja këtë samit të dështuar. Për faktin se nuk arriti që t’i eliminojë pengesat për vazhdimin e dialogut, i cili është bllokuar të thuash gati 1 vit. Por njëkohësisht kjo është një dëshmi se sa thellë ka depërtuar ideja e ndarjes, përkatësisht korrigjimit të kufirit”, u shpreh Beqaj.

Lexo po ashtu:

I të njëjtës linjë, është dhe njohësi i rrethanave politike, Arton Demhasaj, i cili thotë se përkundër deklaratave që idesë së korrigjimit të kufijve i është dhënë fundi në Samitin e Berlinit, në konkluzionet e dala në këtë samit, nuk po shihet si e tillë.

Sipas tij, nëse lexohen me kujdes gjithë drafti, korrigjimi i kufijve ka mbetur ende si opsion i hapur.

Lexo po ashtu:

“Në një mënyrë ose tjetrën akoma ka mbetur e hapur, të paktën unë e kam analizuar dhe kuptuar kështu çështja e korrigjimit të kufijve. Sepse në konkluzione thuhet që Kosova dhe Serbia duhet t’i japin zgjidhje problemit që është dhe marrëveshja që mund të nënshkruhet mes Kosovës dhe Serbisë nuk guxon të ketë pasoja tek vendet tjera. Këtu në një mënyrë akoma ka mbetur e hapur dera të themi e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Demhasaj për KosovaPress.

Kurse, gjatë ditës së sotme, në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike për të diskutuar për pritjet e dialogut Kosovë-Serbi, shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca u shpreh se edhe pas Samitit të Berlinit, presidenti Hashim Thaçi nuk ka hequr dorë nga pretendimet e tij për korrigjim të kufirit.

“Ndonëse presidenti në diskursin e tij së paku para mediave, meqenëse nuk kemi informata të sakta se çka ka folur saktësisht, së paku në deklarimet para mediave u mundua të tingëllojë si i koordinuar me kryeministrin, prapë se prapë ne e dimë se ai nuk ka hequr nga ideja e tij dhe e papranueshme edhe prej faktorëve kryesor ndërkombëtar e që është shkëmbimi i territoreve”, tha Konjufca.

Dje pas përfundimit të samitit, presidenti Thaçi tha se emëruesi i përbashkët i samitit është se janë pajtuar për t’u mos pajtuar për asgjë./Kp/Telegrafi/

TAGS