Analistët: Jo shumë e rëndësishme VMRO-LSDM, po cili do opsion me BDI-në në qeveri i dëmshëm për shqiptarët..

Kaluan 4 ditë nga pranimi i mandatit të kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski për formimin e qeverisë së re, mirëpo ende mbizotëron një heshtje totale e partive politike si nga blloku politik maqedonas po edhe shqiptarë. Nuk dëgjohet as A dhe as B nga VMRO dhe BDI si parti fituese në këto zgjedhje. Ndryshe nga më parë kur këto parti thirreshin në rregullën e pashkruar se partitë fituese duhet të formojnë qeverinë, tani për tani ky parim nuk është diskutuar nga asnjëra.

Mirëpo kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka vënë në dukje katër opsione të mundshme: koalicionin me VMRO-në, koalicionin me LSDM-në, bashkimin në një qeveri teknike, ose qëndrimin në opozitë.

Se cili verzion do të ishte më i preferuar për shqiptarët për portalin Almakos flasin, politikologu, Murat Aliu dhe gazetari Xhevdet Pozhari.

Murat Aliu: Opcioni i formimit të qeverisë me LSDM-në më i përshtatshëm për shqiptarët

“Fillimisht rezultati i zgjedhjeve të 11 Dhjetorit nuk është rezultat i kënaqshëm për asnjë parti politike, veçenarisht për partitë e deritanishme në pushtet. Një dimenzion tjetër i këtyre zgjedhjeve paralamentare është humbja e disa deputetëve shqiptarë në krahasim me ciklet e mëparshme zgjedhore, por edhe përkundër kësaj , është më se evidente se pozita negociuese e shqiptarëve është shumë më e favorshme se në ciklet e mëparshme zgjedhore. Duke u nisur nga kjo dhe nga fakti se BDI është partia shqiptare me më shumë deputet, mendoj dhe vlersoj se opcioni i formimit të një qeverie me LDSM-në bashkë me një parti tjetër shqiptare është më i përshtatshmi për interesat e përgjithshme të shqiptarëve. Them se opcioni me LSDM-në është më i përshtatshëm, për faktin se LSDM gjatë gjithë kampanjës zgjedhore ka zhvilluar një diskurs shumë më të butë kundrejt shqiptarëve dhe kërkesave të tyre. Kurse, VMRO DPMNE gjatë gjithë këtyre viteve në pushtet dhe posacarsihtë gjatë kampanjës parazgjedhore ka zhvilluar një diskurs nacionalis me elemente të theksuara të shovinizmit dhe nga këtu mundë të konstatojmë që kjo parti nuk është e gatshme t’u përgjigjet kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë. Përvec kësaj një pjesë e madhe e krerëve të VMRO-së janë nën hetime të prokurorisë special dhe ky fakt akoma më shumë vështirson koalicionimin me këtë parti”, deklaroi politikologu, Murat Aliu.

Xhevdet Pozhari: Çfarëdo varianti me BDI-në, në kombinatorikë nuk është e mirë..

“Për shqiptarët e Maqedonisë asnjë nga këto variante nuk është e mirë derisa vullneti i tyre politik përfaqësohet nga BDI-ja e Ali Ahmetit. Bashkimi i udhëheqësve politikë shqiptarë në Maqedoni dëshmoi se më shumë ishte një kurtoazi dhe mirësjellje ndaj burrë shtetasve sesa një koncept dhe qëllim i përbashkët. Kjo për faktin se derisa të jetë BDI, me këtë udhëheqje që ka, nuk do të bëhet fjalë asnjëherë më shumë sesa për interesa klanore dhe afariste që shtrihen edhe përtej kufijve të Maqedonisë. Andaj, është vështirë për t’u besuar se BDI nuk do të arrijë marrëveshje me VMRO DPMNE, sidomos kur tani ata kanë një deklaratë të përbashkët dhe legjitimitet. E, në fakt ajo deklaratë shumë pak dallon në përmbajtje nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, ngaqë flitet për të drejta themelore që shqiptarët e Maqedonisë do të duhej t’i kishin prej moti. Aty nuk specifikohen as kohë dhe afate dhe BDI njihet si parti që deri në pafundësi i zvarrite çështjet që kanë të bëjnë me interesat e shqiptarëve dhe më shumë se një dekadë është vënë në shërbim të plotë të politikave antishqiptare të Nikola Gruevskit. Rrjedhimisht, qeveria VMRO DPMNE – BDI është e pashmangshme, por varet nëse ndonjë parti tjetër shqiptare eventualisht do të lëvizë nga qëndrimet. Kjo ngaqë shpeshherë partitë të mirën e tyre e barazojnë me të mirën e popullit, siç e barzoi vetë BDI-ja gjatë gjithë këtyre viteve ku sa më shumë dhe në shpejtësi pasuroheshin funksionarët e saj, aq më shumë varferohej dhe deshperohej populli. Shqiptarëve në Maqedoni iu duhet vetëm edhe pak durim që të shohin përfundimisht fytyrën e vërtetë të secilit mashtrues që u përpoq të përfitojë në kurriz të fatkeqësisë së një populli dhe të atyre që mbeten të perkushtuar të realizohen të drejtat e shqiptarëve. Më mirë mos të ketë qeveri fare sesa të vazhdojnë e të nëpërkëmben të drejtat dhe dinjiteti i shqiptarëve. Edhe ashtu, ky shtet pa shqiptarët nuk mund të ekzistojë. Dhe këtë po aq sa ne e dinë edhe maqedonasit. Andaj, poaq sa është e pakuptimtë të flitet për mundësinë e bashkëqeverisjes së BDI’se me VMRO DPMNE është poaq absurd fakti që këto dy parti do të vendosin për të ardhmen e Maqedonisë, sipas gjasave më të mëdha serish së bashku në një qeveri”, deklaroi Xhevdet Pozhari.