Analistët tregojnë nëse do të dorëhiqen përsëri kryetarët e katër komunave në veri (Video)

Analistët tregojnë nëse do të dorëhiqen përsëri kryetarët e katër komunave në veri (Video)

Kryetarët e sapo zgjedhur të komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan, nuk mund t’i ndalë askush që të japin prapë dorëheqje. Njohësit e zhvillimeve politike, nuk e shohin të duhur as zëvendësimin me administrator, nëse kryetarët dorëhiqen prapë.

Lista Serbe, në zgjedhjet e 19 majit për kryetarë të katër komunat veriore të vendit, fitoi edhe një mandat qeverisës.

Tre nga katër kandidatët për kryetar, paraprakisht kishin dhënë dorëheqje nga postet e njëjta që më pas i rifituan.

Mirëpo, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me urdhrat e të cilit funksionon edhe Lista Serbe, ka paralajmëruar dorëheqje.

Njohësin e zhvillimeve politike, Ramush Tahirin, një veprim i tillë nuk është çuditshëm.

“Ne nuk duhet të ndjehemi të zhgënjyer apo habitur, pse Lista serbe pyet Beogradin apo Vuçiqin. Vet serbët duhet të ndihen keq, sepse ata nuk janë të moshës jomadhore që të kenë nevojë të pyesin Beogradin si të veprohet”, tha për RTV Dukagjinin, Ramush Tahiri.

E njohësi i proceseve zgjedhore, Rasim Alija thotë se në ligjin për vetëqeverisje lokale nuk mund t’i ndaloj që të dorëhiqen prapë.

“Nuk e di si do të vepronin institucionet e Kosovës nëse kandidatët e Listës serbe do të dorëhiqeshin sërish. Ligji për Vetëqeverisje lokale, por edhe ligjet e tjera nuk parashohin raste ku për herë të dytë kandidatët apo kryetarët e komunave japin dorëheqje”, tha Rasim Alija, përcjell Telegrafi.

Ramush Tahiri e sheh si jo të duhurën mundësinë që të veprohet sipas praktikës së disa viteve më parë, që këto komuna të udhëhiqen nga administratorë.

“Këto raste që ndodhin edhe në vendet tjera, i merr përsipër një administratë qendrore që vendoset kundër institucioneve lokale nëse këto të fundit nuk respektojnë kushtetutën dhe ligjin”, tha më tej Ramush Tahiri.

Ndryshe, Mitrovicën e Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit e Zveçanit, kandidatë e Listës Serbe i fituan me mbi 90% të votave. Kostoja e këtyre zgjedhjeve, ishte afër gjysmë milioni euro. /RTV Dukagjini/Telegrafi/

TAGS