14 Shtator 2018 / 15:02
Norvegjia do t’ia ndajë vendit 2 milion euro që të jetë gati për fillim të negociatave për anëtarësim në BE. Sekretari i Ministrisë së Jashtme të Norvegjisë, Audun Halvorsen theksoi se është shumë e rëndësishme që vendi të jetë i përgatitur për t’u përballur më lehtë me negociatat.
Mbështetja jonë do të kontribuojë në ndërtimin e kapaciteteve për procesin e integrimit në BE. Tani ekziston një ndjenjë pa precedencë e momentit këtu në Maqedoni, një ndjenjë se jeni në pikën kthesë në historinë e këtij vendi dhe në gjithë këtë rajon. Qeveria norvegjeze fuqishëm do ta mbështesë procesin e integrimit tuaj në BE edhe sot edhe në të ardhmen – theksoi Audun Halvorsen, Sekretar i Ministrisë së Jashtme të Norvegjisë.
Zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani tha se është me rëndësi që ndihma nga Norvegjia vjen në prag të referendumit të 30 shtatorit.
Mendoj se nuk kishte moment më të mirë për të rikonfirmuar edhe një herë mbështetjen që Mbretëria norvegjeze i jep Maqedonisë në 20 vitet e fundit sesa në këtë muaj vendimtar – u shpreh Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.
Granti ndahet në kuadër të projektit për zhvillimin dhe përgatitjen e vendeve të rajonit që të hyjnë në fazën e dytë të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, ndërsa i njëjti ka edhe mbështetjen e OKB-së.
Anesa Salihu