Angelina Jolie viziton refugjatët Rohingya në Bangladesh

Tash esht Koha

Aktorja hollivudiane, Angelina Jolie, ka qëndruar për vizitë në Bangladesh në rolin e të dërguarës së posaçme të OKB-së për refugjatët – bën të ditur Sky News.

Ajo e ka vizituar vendbanimin më të madh të refugjatëve në botë, shtëpinë e mijëra myslimanëve Rohingya.

Gjatë qëndrimit treditor në Bangladesh, aktorja dhe humanistja e njohur i ka vlerësuar kërkesat e refugjatëve dhe është njoftuar me sfidat nëpër të cilat ata kalojnë – njoftojnë nga UNHCR.

Më shumë se 740.000 Rohingya jetojnë në kampe në Bangladesh, pasi para 18 muajsh kanë ikur nga Myanmari (ish Burma), si pasojë e një aksioni ushtarak të këtij shteti, të cilin hetuesit e OKB-së e kanë etiketuar si spastrim etnik.

Lexo po ashtu:

Jolie ka kaluar kohë edhe në disa shkolla dhe spitale, si dhe është takuar me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Myanmarit.

“Ka qenë shumë shqetësues takimi me familjet që gjatë gjithë jetës kanë përjetuar vetë persekutim dhe pashtetësi, të cilët tregojnë se janë trajtuar si bagëti. Familjet Rohingya që i kam takuar nuk dallojnë nga refugjatët tjerë në aspektin vendimtar: ata duan t’u jepet mundësia të kthehen në shtëpitë e tyre”, u ka thënë Angelina gazetarëve.

Kjo vizitë vjen para se OKB ta lansojë apelin global për grumbullimin e 920 milionë dollarëve për nevojat e refugjatëve që jetojnë nëpër kampe.

Populli Rohingya janë një grup etnik indo-arian pa shtet të vendosur në shtetin Rakhine të Myanmarit. Para krizës, rreth një milionë Rohingya kanë jetuar në Myanmar, ndërsa deri në dhjetor të vitit 2017, mbi 740.000 prej tyre e kanë kaluar kufirin dhe janë vendosur në Bangladesh. Shumica e Rohingya janë myslimanë, kurse një pakicë janë hindu.

OKB-ja i ka përshkruar si një prej minoriteteve më të persekutuara në botë, ndërsa shteti i Myanmarit me një vendim të vitit 1982 ua ka ndaluar me ligj shtetësinë. /Telegrafi/

Tash esht Koha
TAGS