Angjushev kërkon rritjen e pagës minimale

Angjushev kërkon rritjen e pagës minimale

Ne si shtet duhet të tregojmë se dëshirojmë t’i mbrojmë familjet e klasës më të ulët që marrin paga më të vogla, tha zëvendëskryeministri Koço Angjushev në “Top tema” në televizionin Telma.

“Në çdo vend paga minimale është e definuar. Javën e kaluar patëm takime me odat ekonomike. Tani për tani akoma nuk e kemi definuar vlerën. Gjatë periudhës së ardhshme do të kemi takime intensive në të cilat do të bisedojmë me qëllim që të gjendet zgjidhje e përbashkët dhe ai nuk do të jetë vendim i përshpejtuar. Të jemi të sinqertë, një familje nuk mund të jetojë me 200 euro të ardhura mujore sikur edhe dy persona të punojnë. Në të gjitha shtetet paga minimale është për t’i mbrojtur kategoritë më në nevojë”, deklaroi Angjushev.

Sipas kryetares së Lidhjes së Odave Ekonomike, Danella Arsovska, paga minimale është në nivel të ulët ndërsa në kohën kur zbatohen mini reforma tatimore, rritja e re mund të bëjë çrregullime në tregun e punës.

“Duhet të bëhet analizë nëpër sektorë dhe të shihet ku mund të ketë rritje. Të gjithë dëshirojnë ta rrisin, por duhen shumë faktorë të merren parasysh gjatë përcaktimit të vlerës së pagës minimale”, theksoi Arsovska.