Një grup administratorësh shqiptarë, të punësuar në institucione shtetërore dhe komunale, kanë ardhur në redaksinë e Gazetës Lajm për të paraqitur një rast të jashtëzakonshëm të presionit. Ata thonë se janë të detyruar vazhdimisht nga shefat e tyre që të pëlqejnë dhe të shpërndajnë postimet, spotet publicitare dhe tekstet pozitive për kandidatët e partisë në pushtet për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 15 tetor.
“Presioni është shtuar tani gjatë fushatës parazgjedhore. Prej nesh nuk kërkohet të bëjmë punë, por vetëm të pëlqejmë dhe të shpërndajmë tekste të portaleve që shkruajnë mirë për partinë në pushtet. Poashtu kemi presion të shpërndajme edhe tekste negative për kandidatët e partive opozitare. Kjo dukuri ka filluar në kohën e qeverisë së kaluar. Menduam se me ardhjen e qeverisë së re do të ndalen këto presione, por asgjë nuk ka ndryshuar. Tani vërehet se panika nga humbja është më e madhe se më 11 dhjetor, prandaj edhe presioni që po na bëhet është më i madh”, thonë administratorët.
Për momentin ata nuk pranojnë të flasin me emër dhe mbiemër, por premtojnë se do të dalin publikisht pas zgjedhjeve, kur presin të ndodhin ndryshime pozitive për shqiptarët. Mirëpo deri atëherë janë duke kaluar golgotë të vërtetë, prandaj kanë vendosur që duke denoncuar rastin në Gazetën Lajm, për këtë nënçmim të informohet edhe OSBE-ja.
“Ata që pëlqejnë kandidatët e partisë në pushtet në rrjetet sociale, janë më të lirë prej obligimeve. Mund të vijnë kur të duan në punë, mund të shkojnë kur të duan. Ata që shkruajnë komente pozitive madje edhe shpërblehen në mënyra të ndryshme me honorare e mëditje, që u jepen përveç rrogave. Kurse ne që nuk pranojmë këtë, vazhdimisht kontrollohemi kur vijmë në punë e kur shkojmë. Mundohen të gjejnë me çdo kusht ndonjë shkas për të na dënuar”, thonë ata.
Gazeta Lajm ka bë nj investigim dhe kemi konstatuar se me të vërtetë gati 90 për qind e atyre që u bëjnë “like” në facebook video-klipeve reklamuese të kandidatëve të partisë në pushtet, por edhe të teksteve afirmative për ta, janë të punësuar në administratë. Disa prej tyre madje bëjnë aq shumë pëlqime dhe komente gjatë orarit të punës për kandidatët e pushtetit, sa që është e pabesueshme se si mund të bëjnë punën për të cilën paguhen?