Lëvizja Antibixhoz kërkoi nga partitë shqiptare që pas zgjedhjeve të kushtëzojnë formimin e Qeverisë me mbylljen e të gjitha lojërave të fatit. Ata kërkojnë zgjidhje ligjore ngjashëm si në Shqipëri e Kosovë.
“Lëvizja Antibixhoz, kërkon mbyllje me çdo kusht të të gjitha objekteve të lojërave të fatit. Kërkojmë të deklaroheni dhe të veproni, deri në arritje të situatës sikurse në Shqipëri dhe Kosovë. Kërkojmë që subjekti fitues shqiptar ta kushtëzoj shumicën parlamentare për formimin e Qeverisë së ardhshme- tha Jushi Emërllahu, Antibixhoz.
“Ne kërkojmë zgjidhje institucionale dhe përgjegjësia nëse nuk votohet një Ligj për mbylljen e kazinove dhe bastoreve si në Shqipëri dhe Kosovë i bie pikërisht bllokut politik të shoqërisë sonë”- pohoi Nuhi Gania, AntiBixhoz.
E një aktivitet kundër kazinove mbajtën edhe të rinjtë e koalicionit ASh-Alternativa. Ata akuzuan BDI-në për mos ndryshimin e ligjit për lojërat e fatit.
“Deputetët e BDI-së shpërfillën kërkesën e qytetarëve dhe propozuan ligj për t’i mbajtur lojërat e fatit 500m afër vendbanimeve. Ndërkaq zv.Kryeministri Bujar Osmani i BDI-së i dha leje kompanisë Maks Bet të Sasho Mijalkovit që të hap lokale të lojërave të fatit. Ashtu siç e kemi përfshirë në program, ne premtojmë se me ne në qeverisje lojërat e fatit do të lejohen vetëm në hotele me 5 yje”- tha Liridon Baftiu, Koalicioni i Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët
Propozim ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit nuk u miratua nga përbërja e kaluar e Kuvendit edhepse i njëjti propozim ishte në procedurë për më tepër se një vjet e gjysmë.