Alsat 2019-04-16T12:28:45+02:00
Për shkak të mungesës së Igor Janushev dhe Naum Stoillkovski, të cilët janë përfaqësues të autorizuar të VMRO-DPMNE-së, gjykimi për lëndën “Talir” të Prokurorisë Publike Speciale u anulua për më 16 maj 2019.
Para fillimit të seancës, mbrojtësi i njërit prej të akuzuarve, Donçe Nakov, e njoftoi kryetarin e këshillit gjykuese Osman Shabani se për shkak të obligimeve rreth fushatës për zgjedhjet presidenciale, përfaqësuesit e partisë nuk do të mund të marrin pjesë në gjykim.
Prokurorja, Lençe Ristovska tha se ky është tentim që të akuzuarit ta stërzgjasin gjykimin për shkak faktit që sot e njoftojnë gjykatën dhe jo më herët dhe propozoi partia t’i autorizojë më shumë persona të cilët mund të marrin pjesë në seanca. Gjykatësi Shabani e anuloi gjykimin dhe publikisht i bëri vërejtje partisë VMRO-DPMNE.
Në rastin “Talir” të akuzuar janë Nikolla Gruevski, Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakieski të cilët ngarkohen për “keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe autorizimit” dhe “larje parash” si edhe Ilija Dimovski, Leko Ristoski dhe Elizabeta Çingarovska të akuzuar vetëm për veprën “larje parash”. Për veprën e njëjtë, si subjekt juridik me aktakuzën është përfshirë edhe VMRO-DPMNE.
Elizabeta Çingarovska nuk do të gjykohet pasi ajo u mor vesh me PPS-në, e pranoi fajin dhe mori dënim me burg me kusht prej dy viteve, i cili nuk do të kryhet nëse në pesë vitet e ardhshme nuk e bën ndonjë vepër tjetër penale.
Sipas aktakuzës, ata në mënyrë të paligjshme i kanë marrë të paktën 4,6 milionë euro për partinë, ndërsa më pas kanë organizuar që këto para të paguhen në xhiro llogarinë e partisë përmes urdhërpagesave në emër të personave të ndryshëm./MIA
Loading…