Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO nuk është vënë në pikëpyetje, vetëm pritet përfundimi i procedurës së ratifikimit të protokollit për anëtarësim në të gjitha vendet anëtare të Aleancës, thotë zëvendësndihmësi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për Çështje Politike dhe Politikë të Sigurisë, Xhejms Apaturaj në intervistë për Radion Evropa e Lira.
“Rrethana e vetme rënduese është ngecja në Spanjë rreth formimit të qeverisë. E dini se kishin disa zgjedhje dhe thjeshtë nuk kanë mekanizma për formimin e qeverisë, pas çka do të mund të ndërmerrnin hapa”, thekson Apaturaj.
Ai potencoi se NATO-ja i respekton afatet, duke theksuar se pret që vendi të bëhet anëtare e plotfuqishme e Aleancës në “fillim të pranverës”.
Apaturaj thekson se në Samitin e NATO-s që u mbajt në fillim të dhjetorit në Londër, “të gjithë do ta kenë të qartë se Maqedonia e Veriut është në prag dhe se së shpejti do t’i bashkëngjitet” Aleancës.
Zëvendësndihmësi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s në intervistë thekson edhe se Aleanca mbetet e përkushtuar në sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
“Atje kishim operacione ushtarake dhe ende i kemi. Kemi program për reforma me secilin shtet (nga rajoni) që nuk është anëtar. Kemi tri zyra në rajonin të cilat i mbështesin reformat. Qytetarët e gjithë rajonit mund të jenë tërësisht të sigurt se NATO-ja është e përkushtuar në Ballkanin Perëndimor dhe se do të mbetet kështu”, potencoi Apaturaj.