Arabia Saudite kërkon ndaljen e pengesave për anijet në Gjirin Persik

Arabia Saudite kërkon ndaljen e pengesave për anijet në Gjirin Persik

Autoritetet e Arabisë Saudite thanë të martën se pengimi i anijeve tregtare nga Irani në ujërat e Gjirit Persik, përfshirë konfiskimin e një anije britanike, është shkelje e ligjeve ndërkombëtare dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i parandalojnë këto veprime.

“Çdo pengim i lirisë së trafikut detar ndërkombëtar vlerësohet shkelje e ligjeve ndërkombëtare dhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta bëjë atë që është e nevojshme për ta kundërshtuar dhe parandaluar një gjë të tillë”, thuhet në një deklaratë të kabinetit saudit, të publikuar nga mediet shtetërore.

Irani njoftoi të premten se e ka konfiskuar anijen britanike, Stena Impero, e cila ishte duke lundruar drejt një porti të Arabisë Saudite dhe papritmas e ndryshoi drejtimin pasi e kishte kaluar Ngushticën e Hormuzit.

Britania ka reaguar ashpër ndaj konfiskimit të anijes, duke e cilësuar këtë veprim si piratëri shtetërore dhe i bëri thirrje misionit detar evropian që të ofrojë siguri gjatë lundrimit të anijeve në rrugën më të rëndësishme detare në botë për transportimin e naftës.

Konfiskimi i anijes britanike nga Irani po vlerësohet si hakmarrje për konfiskimin e anijes iraniane nga forcat britanike në Ngushticën e Gjibraltarit, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.