Arben Desku
Ndoshta si rini shqiptare do duhej të mos kishim arsye të merreshim me gjëra të tilla, por ja që janë disa që thjeshtë nuk ngopen me gjëra të tilla dhe duan të bien në sy të publikut duke hedhur pluhur mbi gjëra të mëdha. Kur madhështia dhe vogëlsia takohen, vogëlsia dëshiron të dalë nga hija e madhështisë duke u munduar të vjedhë pak nga meritat e saj. E si të vjedhë nga madhështia? Duke u munduar ta njollosë me vogëlsinë e saj. Por, madhështia nuk mund të njolloset nga shpifjet dhe gënjeshtrat e vogëlsisë, pasi vogëlsia asnjëherë nuk do mund të arrij në atë nivel sa ta prekë me ndyrësinë e saj madhështinë.
I tillë është rasti i gjuhës se politikanit maqedonas Menduh Thaçi në raport me shtëpinë botuese shqiptare në Maqedoninë Veriore “Logos A”. Unë asesi nuk dua të bëj krahasim apo tërheq paralele mes Menduh Thaçit dhe “Logos A” pasi janë të pakrahasueshëm, pra janë raporti vogëlsi-madhështi, por si një i ri i këtij kombi nuk mund të hesht para realitetit faktik të të dyja palëve, pasi ne kemi parë e dëgjuar me dekada rreth të dyja palëve dhe mendoj që opinioni publik duhet të vetëdijesohet se kush punon pro dhe kundër interesave të tyre.
Menduh Thaçi, ky politikan i regjur që nuk i pengon aspak të bije ndesh me vetë fjalët e tij. Kjo pasi ai gjithmonë ka rënë ndesh duke vepruar të kundërten e fjalëve të tij. Dikur e vetmja atu që i kishte mbetur ishte “shqip, vetëm shqip” e kur erdhi fjala për vërtetë vetëm shqip, në vend të kandidatit shqiptar për president u hodh në prehërin e maqedonasit, pasi ata ishin premtimi real për jetëgjatësinë e tij politike. Ky “shqiptar patriot” ende vazhdon të vajtoj se si ishte mik i presidentit turk, por ia “rrëmbeu” një shtëpi botuese! Për të poashtu të gjithë shqiptarët që nuk janë me të, nuk janë shqiptarë. Ai ende vazhdon të flasë për Maqedoninë e maqedonëve si shtet i tij, kur dihet që rreth gjysma e këtij vendi janë shqiptarë (figuron vetëm 25% në të dhënat zyrtare). Ai madje gënjen duke bërë akuza pa fakte, por vetëm për të mashtruar publikun (të cilin e mashtron me vite) ndaj një institucioni të ndershme shkencorë e letrar. E çfarë bëri Menduh Thaçi për shqiptarët e Maqedonisë Perëndimore? U pasurua, grumbulloi pasuri e rehati për vete dhe rrethin e tij vicioz duke shitur besimin e popullit për të mirën personale. E la popullin të izoluar dhe në terr, pa të drejta, pa identitet, pa ambicie për të vendosur për fatin e tij.
“Logos A”, për tri dekada rresht (e edhe për shumë të tjera shpresojmë) u mundua të mbajë gjallë frymen shqiptare në Maqedoninë Perëndimore. E bëri këtë duke ruajtur identitetin kulturor, etnik e fetar të shqiptarëve jo vetëm atje, por në tërë shqiptarinë. Me shkrimtarët, recenzentët dhe menagjuesit më eminent dhe më transparent në tërë rajonin, “Logos A” mbajti të gjallë identitetin etnik të shqiptarëve. Çdo botim i vetëm i kësaj shtëpie botuese është i përcjellur me dokumentacion transparent për të gjitha llojet e autoriteteteve. Çdo financim është transparent dhe çdo obligim ligjor është i paguar në baza ligjore dhe kjo mund të shihet në të dhenat zyrtare institutional publike. Kjo pasi të ndershmit, punojnë ndershëm. “Logos A” asnjëherë nuk ka qënë shtëpi botuese e vetëm një teme, por e çdo teme të rëndësishme për të mirën e kombit dhe atdheut, prandaj sot më shumë se kurdoherë veprat e shkrimtarëve të “Logos A” merren si pika reference në shumë studime dhe punime shkencore në simpoziume shkencore anembanë globit.
Pse sulmohet “Logos A”?
Faktikisht nuk është hera e parë që kjo çerdhe e ringjalljes se kulturës shqiptare sulmohet në mënyra të tilla të ndyera dhe të pandershme. “Logos A” sulmohet pasi është puna e saj ajo që u zë rrugën atyre që popullin shqiptar duan ta shohin në ditët e errëta të nënshtrimit e injorancës, e përmes paaftësisë se tyre për të vetëvendosur për fatin e tyre t’i kontrollojnë. Në ditët kur bota e civilizuar na konsideronte si “njerëz të shpellave”. “Logos A” ka bërë shumë që të na nxjerr nga këto “shpella” drejt rrezeve të diellit. Ne rinia shqiptare e kemi parë diellin dhe drita është në libra, shkencë, përkrah botës se avancuar e përparimtare. Ne jemi me librin, ne jemi me “Logos A” dhe me çdo çerdhe tjetër të dijes që dëshiron të na largojë nga sytë perdet e injorancës. Tani e dimë ne vetë kujt t’i besojm dhe cilat janë prioritetet tona.
Definitivisht nuk do vendosim besim dhe pritshmëri në politikanë e njerëz që faktikisht nuk kemi parë asgjë të mirë prej tyre e as nuk pritet mirësi nga ta. Të tillëve u themi: “Çerdhet e dijes janë e ardhmja jonë e ndritur, ndërsa ju jeni e kaluara jonë e hidhur.”