Kreu i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar pas sulmit që iu bë autobusit kosovar në Serbi.
Mbrëmë, pas mesnate në ora 02:00, autobusi që po qarkullonte nga Kosova për në Gjermani, është sulmuar në Serbi, përkatësisht në afërsi të Krushevcit.
Pas kësaj ngjarje ka reaguar edhe i pari i Preshevës, Shqiprim Arifi, shkruan lajmi.net.
Përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Arifi ka dënuar këtë sulm.
Ai ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ndërhyjë në këto çështje, në mënyrë që siç tha ai, lëvizja nëpër Serbi të jetë e sigurt.
Reagimi i plotë i Arifit pa ndërhyrje:
Sot në orët e hershme të mëngjesit afër qytetit Krushevc u sulmua autobusi me udhëtarë nga Kosova që po lëvizte nëpër Serbi drejt Gjermanisë.
Të shqetësuar rreth këtij lajmi dënojmë ashpër këtë sulm dhe të gjitha sulmet vandale të këtij lloji nga ana e sulmuesve serb.
Kërkojmë që rastet e tilla mos të përsëriten më dhe sulmuesit të dalin para drejtësisë.
Gjithashtu kërkojmë edhe nga faktori ndërkombetar të ndërhyj në këto çështje dhe të ketë siguri dhe lëvizje të lirë nëpër tërë territorin e Serbise pasi lëvizja e lirë është esenciale për të gjithë popujt dhe paraqet perspektivën e integrimit në Bashkimin Evropian. /Lajmi.net/