Arilena me kontratë ndërkombëtare, në radhë dy projekte të reja

Ende pa u publikuar zyrtarisht, kënga më e re e Arilena Arës është kthyer tashmë në hit. “Last Train to Paris” (“Treni i fundit për Paris”), bashkëpunimi me reperin e njohur rus, KDDK, po bën namin në vendet e rajonit.

Mjaftoi të transmetohej disa herë në radio, për t’u renditur menjëherë në 10 këngët më të dëgjuara të momentit.

E ndërsa KDDK po e reklamon kudo në rrjetet sociale suksesin e papritur të këngës, vet Arilena ka zgjedhur të qëndrojë në heshtje. Por, duket se është vetëm qetësia përpara “stuhisë”.

Vizita e saj në Los Angeles muajin e kaluar, nuk paska pasur për qëllim vetëm shkrepjet me fotografin Fadil Berisha.

Burime për Jo Vetëm Modë, kanë treguar arsyen e vërtetë të vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara. Arilena sapo ka nënshkruar me një prej shtëpive më të mëdha diskografike, Universal Music.

KDDK, nuk është i vetmi që ka kërkuar të bashkëpunojë me 19-vjeçaren. Këngëtarja ka incizuar projekte edhe bashkë me dy artistë të tjerë, emra të njohur në tregun ndërkombëtar që për momentin nuk janë bërë publikë.

Lexo po ashtu:

Klipet me dy këngët e reja të prodhuara në studiot e Los Angelesi, do të publikohen në maj, krahas videos së “Last Train to Paris” xhiruar në kryeqytetin francez.

Duket një periudhë mjaft e angazhuar, pasi Arilena ishte ftuar të performojë të shtunën në një prej organizimeve më të mëdha të muzikës në Evropë.

Çdo vit në pranverë, artistët që kanë pushtuar top listat evropiane, mblidhen në Minsk për të performuar në arenën e festivalit muzikor “Hot & Top”. Kështu, Arilena Ara nuk mund të mungonte , krah Kadebostany, Willi William apo Oceana. /tvklan.al/

TAGS