3 May 2018 / 12:55
Arritja e një marrëveshjeje eventuale politike për emrin nuk do t’i jep fund problemit greko-maqedonas, për shkak se problemi nuk është vetëm politiko-diplomatik. Ekspertë nga dy shtetet vlerësojnë se kontesti është para së gjithash çështje sociale, shumë emocionale, çështje identiteti. Andaj ata u propozojnë dy shteteve që të punojnë në çrrënjosjen e paragjykimeve nga dy shoqëritë. Janis Armakolas nga Fondacioni grek për Politikë Evropiane “Eliamep” theksoi se për grekët termi “Maqedoni” është pjesë e pandashme e identitetit të tyre.
Sipas Armakolasit, emri nuk është tema kryesore në Greqi megjithatë sa më shumë që aktualizohet si çështje aq më emocionalë bëhen njerëzit. Ai madje sqaroi se nuk ka mundësi që të kalojë në Kuvend marrëveshja e arritur eventuale, për shkak se nuk ka shumicë të mjaftueshme dhe nga partitë opozitare vetëm “Potami” do ta kishte mbështetur një kompromis eventual.