Arrestohet kryetari i Novo Sellës për kontrabandë cigaresh

Arrestohet kryetari i Novo Sellës për kontrabandë cigaresh

Kryetari i komunës Novo-Sellë Boro Stojçev është arrestuar nën dyshim për kontrabandë cigaresh. Kryetari, kuadër I LSDM-së është kapur së bashku me gruan dhe djalin e tij, por ka qenë i shoqëruar edhe nga një bashkëpunëtor tjetër. Policia siç mësohet, nuk  e ka ndaluar në mënyrë të qetë kryetarin, pasi gjatë arrestimit, njëra nga makinat ka tentuar të ikë dhe policia ka shtënë dy herë në shenjë paralajmërimi. Policia shpjegoi se në makinën e kryetarit të Novo Sellës dhe në një makinë tjetër, janë kapur 3300 steka të cigareve.

Ministria e Punëve të Brendshme: “Në një moment kur njëra nga makinat tentoi të ikte, policët kanë shtënë me armë në shenjë paralajmërimi. Policia e Strumicës si dhe prokurori publik e kanë bërë ekspertizën në vendin e ngjarjes. Të gjithë personat janë arrestuar dhe mbajtur në SPB Strumicës ndërsa cigaret janë konfiskuar. SPB Strumicë po punon në zbardhjen e rastit”.

Prokuroria publike kumtoi se katër prej pesë personave të arrestuar në tentativë për kontrabandim të cigareve janë dërguar në paraburgim ndërsa vetëm njëri, shkaku i gjendjes shëndetësore është lënë në liri po nën  masa të veçanta të kujdesit. Prokuroria nuk ka dhënë iniciale se cili person është lënë në liri, nëse ky është kryetari i komunës, ose ai është dërguar në paraburgim.

Prokuroria Publike: “Bëhet fjalë për kontrabandim të një sasie më të madhe të mallit për çka sipas Kodit Penal, parashikohet dënim me burg prej gjashtë muajsh deri në pesë vite. Prokurori publik i ka propozuar Gjykatës Themelore të Strumicës masën e paraburgimit për katër persona, ndërsa njëri, nga shkaqe shëndetësore u la në liri me masa të kujdesit. Iu shqiptua ndalesë për tu larguar nga vendbanimi, iu mor pasaporta dhe u obligua që të paraqitet në gjykatë kohë pas kohe”.

Prokuroria qartësoi se kryetari i Novo Sellës së bashku me familjen dhe një bashkëpunëtor tjetër, kanë tentuar të kontrabandojnë cigare nëpërmjet një kalimi ilegal kufitar mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, por policia i ka arrestuar dy kilometra para vendkalimit ilegal. Sipas vlerësimeve të prokurorisë, cigaret kanë kushtuar afro 50 mijë euro.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/