Arrestohet një person pasi i lë disa fishekë para një shtëpie

Arrestohet një person pasi i lë disa fishekë para një shtëpie

Zyra e informimit policor për rajonin e Pejës njofton se me datën 6 maj 2019 rreth orës 09:00, pranë Stacionit Policor në Deçan, viktima ka raportuar se është kanosur nga persona të dyshuar, duke i vënë para derës së shtëpisë së tij disa fishekë të armës së zjarrit (AK47, kal. 7.62 mm).

Sipas njoftimit për media njësitet patrulluese së bashku me Njësitin e Hetimeve të Stacionit Policor në Deçan, kanë dalë në vendin e ngjarjes për të bërë shikimin, ku janë gjetur dhe janë sekuestruar prova dhe dëshmi që ndërlidhen me rastin e kanosjes.

“Lidhur me këtë është njoftuar prokurori i shtetit dhe në koordinim të plotë në vazhdën e hetimeve intensive, janë siguruar informacione për personin e dyshuar dhe me urdhër të gjyqtarit të procedures paraprake me datën dhe ditën e njëjtë është kryer një kontroll-bastisje në shtëpinë e të dyshuarit të arrestuar: M. B. lindur me 1970 m/k/sh”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës gjatë kontrollit nuk është gjetur diçka ilegale apo e dyshimtë.

“I dyshuari është arrestuar dhe gjatë hetimeve janë gjetur edhe prova shtesë, me ç’rast i dyshuari ka pohuar se e ka kryer këtë vepër penale ‘kanosje’. Hetuesit policorë janë duke punuar për të sqaruar motivin e kësaj vepre penale”, thuhet në njoftim./Telegrafi/

TAGS