Arta Marku dorëzon kandidaturën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm

Arta Marku dorëzon kandidaturën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm

Ditën e fundit të afatit, Kryeprokurorja Arta Marku dorëzoi pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) kandidaturën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ajo është e 4-ta kandidaturë që ka dorëzuar CV-në e saj pranë KLP, për postin e Kryeprokurorit të Përgjithshëm.

Kandidatët e tjerë që konkurrojnë për kreun e akuzës janë Fatjona Memçaj e cila është prokurore e Apelit në Tiranë, Olsion Çela prokuror në Krimet e Rënda si dhe avokati Lulëzim Alushaj.

Arta Marku në CV-në e saj numëron një sërë pikash të forta. Ajo ka mbaruar me nota të shkëlqyera Studimet e Larta si dhe ka përfunduar me sukses Magjistraturën. Për disa vite me radhë, zonja Marku ka qenë pjesë e një sërë trajnimesh për sistemin e drejtësisë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

Pasi ka kryer stazhin për 2 vjet ne prokurorinë e Fierit, Marku ka ushtruar funksionin si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër për 15 vite. Gjatë karrierës së saj, i janë besuar disa detyra të rëndësishme në sistemin e drejtësisë.

Për 7 vjet ka qenë drejtuese e Njësisë së Përbashkët Hetimore për Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin në Prokurorinë e Rrethit Shkodër si dhe Zëvendës Drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Prej 4 vitesh, kandidatja për kryeprokurore, ka qenë pedagoge në Universitetin “Gjon Buzuku” në Shkodër si lektore në lëndët “Histori e Institucioneve”, “Të drejtë penale” si dhe “Procedure penale”.

Arta Marku konsiderohet kandidaturë tepër e fortë, për shkak të vlerësimeve në punën e saj, dhe rezultateve që ajo ka pasur. Marku doli përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) në korrik të 2018 ës dhe kaloi me sukses VETTING-un.

Kryeprokurorja Marku rezulton në dokumentin e DISK, i dalë së fundmi në media, si figurë e pastër dhe e pranueshme për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Në rivlerësimin e figurës në materialin e firmosur nga drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar Dorian Tola, ajo rezulton të mos ketë “asnjë e kontakt të papërshtatshëm me persona të përfshirë në krimin e organizuar”.

Arta Marku është një figurë që gëzon gjithashtu mbështetjen e fortë të ndërkombëtarëve, dhe veçanërisht të Shteteve të Bashkuara./Gazeta Shqip/Telegrafi/

TAGS