Asaf Ademi për revistën MNI:Nuk na lejohet ta diskriminojmë asnjë komunitet me qasjen tonë monoetnike e monofetare

Asaf Ademi për revistën MNI:Nuk na lejohet ta diskriminojmë asnjë komunitet me qasjen tonë monoetnike e monofetare

Intervista e plotë e ministrit të kulturës së Republikës së Maqedonisë, z. Asaf Ademi dhënë për revistën bullgare ‘’MNI’’ – Instituti Shkencor Maqedonas

 

 

  1. Si i vlerësoni kontaktet e përgjithshme ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë?

Marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë, mendoj unë, përfundimisht kanë marrë të mbarën. Pas shumë viteve pritjesh e hezitimesh, më në fund kjo qeveri e Maqedonisë arriti që ta përmbyllë Traktatin me Bullgarinë dhe kujtoj se tash e tutje neve na pret një perspektivë e mirë e relacioneve ndërshtetërore dhe, jam i bindur, se Bullgaria do ta dëshmojë veten si një fqinj i mirë në agjendën tonë euro-atlantike. Pas arritjes së marrëveshjes bilaterale politike për marrëdhëniet ndërfqinjësore, tash është krijuar taban i mirë edhe për marrëdhënie në fushë të kulturës dhe në fusha të tjera të jetës shoqërore, që besoj se do të avancohen.

 

  1. Ku i shihni mundësitë për zhvillimin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet shteteve tona?

Mendoj se Maqedonia dhe Bullgaria kanë plot mundësi bashkëpunimi ndërkulturor, duke filluar që nga trashëgimia e përbashkët sllave, që duhet të shihet si pronë e përbashkët e të gjithë sllavëve, e deri në projektet bashkëkohore kulturore, qoftë si bashkëpunim ndërfqinjësor ose si bashkëpunim në kuadër të integrimeve europiane.

Në këtë kontekst besoj se mund të ndihmojë edhe Qendra Kulturore e Maqedonisë në Sofje, por pse jo edhe bashkëpunimet e tjera të drejtpërdrejta ndërmjet institucioneve të ndryshme kulturore të vendeve përkatëse. Tashmë ndërmjet dy vendeve fqinje nuk ka asnjë pengesë që ky bashkëpunim të zhvillohet dhe unë pres që në të ardhmen kjo të ndjehet në të dyja vendet.

 

  1. Cilat janë, sipas Jush, problemet më të mëdha në fushën e kulturës, me të cilat përballet shteti Juaj?

Nuk ma ëndja të qahem, por do të thosha se të gjitha vendet e rajonit duhet ta kuptojnë se duhet të rriten investimet në kulturë, sepse ato janë mënyra më e mirë e promovimit të shteteve përkatëse, por edhe mënyra më e mirë për ndërtimin e mundësive të bashkëpunimit me të tjerët. Edhe aty ku nuk depërton politika, kultura e gjen shtegun.

Në këtë kontekst, edhe Maqedoni përballet me fonde jo të mjaftueshme për kulturë, aq më shumë që 10-12 vite të kaluara ne kemi pasur një qasje selektive të shtetit ndaj kulturës dhe janë bërë investime marramendëse, që për fat të keq jo vetëm që kanë krijuar dyshime të mëdha për abuzim me fondet, por edhe kanë bërë brazda që do të na duhet punë që t’i mbushim. Si në gjithë botën, edhe në Maqedoni, punëtorët e kulturës kanë ide, kanë vizion, kanë projekte dhe aplikojnë e shtrojnë kërkesa, por Ministria e Kulturës jo gjithnjë ka mundësi t’i mbulojë ato. Prandaj, dëshiroj të shpresoj se hapja e negociatave për aderim në BE do të na hapë edhe më shumë mundësi për thithje të fondeve europiane për kulturë, që të mund t’i përmbushim kërkesat dhe nevojat për projekte kulturore.

 

  1. Cilat janë planet Tuaja për menaxhimin e kulturës dhe çfarë mendoni të ndryshoni në qeverisjen e këtij resori?

Vizioni jonë është që, në aspekt të jetës kulturore, në Maqedoni të mos ketë më diskriminim, të bashkëpunohet me institucionet e drejtësisë për abuzimete bëra në këtë dikaster, të mbështeten sa më shumë projekte aktuale kulturore, si dhe të krijohen e të institucionalizohen edhe projekte e institucione të reja kulturore. Është koha e fundit kur ne duhet të bindemi se jemi në rrugën e aderimit në BE dhe se nuk na lejohet ta diskriminojmë asnjë komunitet me qasjen tonë monetnike e monofetare, të jemi transparent në punë dhe në shpërndarjen e fondeve dhe fillojmë ta shohim veten jo si një ishull i izoluar që bën kulturë për veten dhe që sillet sikur në këtë planet është vetë, por të kemi qasje europiane, duke ofruar dhe garuar me projekte të njëmendta kulturore, që do të vlerësohen dhe pranohen edhe nga të të tjerët. Zaten, ne arrijmë të prodhojmë vlera aq sa e njohim veten, ndërsa mënyra më e mira për ta bërë këtë është përmes komunikimit me të tjerët. Diversiteti është vlerë që, pos tjerash, prodhon rinjohje të vetvetes.

 

  1. Projekti më i madh në fushën e kulturës në Maqedoni është “Shkupi 2014”. Cili është koncepti Juaj për këtë kompleks?

Mendoj se në mënyrë të tërthortë tashmë u përgjigja në këtë pyetje. Ky është projekti diskriminues dhe selektiv që është prodhuar për vite të tëra në Maqedoni. Përveç problemeve të abuzimit financiar, ky projekt ka lënë pas vetes edhe rrënojat e ndarjes së komuniteteve, veçanërisht në Shkup, duke krijuar jaz dhe mosbesim, pikërisht për shkak të qasjes monoetnike dhe monoreligjioze që e ka pasur. Çështje tjetër është pastaj që ai e ka ndryshuar identitetin urban të Shkupit, duke e kthyer atë në një qytet që sot nuk e njeh veten e vet. Në këtë frymë, mendoj se projekti ka synuar edhe ta zhvendosë epiqendrën urbane të Shkupit, nga ajo me identitet historik, aludoj në hapësirën nga Kalaja e deri në Çarshinë e Shkupit, duke e shtyrë drejt objekteve dhe përmendoreve të krijuara rishtazi gjatë atyre viteve. Për këto arsye në Ministrinë e Kulturës janë formuar dy grupe pune, që bëjnë studimin dhe vlerësimin profesional të objekteve dhe përmendoreve të këtij projekti, madje një pjesë e elaborateve janë dorëzuar në Qeveri, ndërsa një pjesë i ka marrë në shqyrtim edhe Prokuroria Speciale Publike. Këtu më duhet të theksoj se detyra e grupeve përfundon me dorëzimin e rekomandimeve, ndërsa për realizimin e tyre është përgjegjëse Qeveria.

 

  1. Në territorin e Maqedonisë së sotme ka pasuri të shumta kulturore nga popuj dhe epoka të ndryshme. A mund të na tregoni për planet e Ministrisë së kulturës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore?

Derisa ne do të jemi në Ministrinë e Kulturës do të kujdesemi njësoj për gjithë trashëgiminë kulturore të vendit. Për neve nuk është e rëndësishme se e cilës epokë, cilit komunitet apo çfarë gjurme pushteti mund të jetë një pasuri e tillë kulturore. Detyra jonë është ta mbrojmë, ta kujdesemi për të dhe ta promovojmë si vlerë të përbashkët të popujve në Maqedoni, sepse – fundja – prezantimi i trashëgimisë kulturore në botë megjithatë i bën nder emrit të shtetit tonë dhe pjesa tjetër pastaj është më pak e rëndësishme. Për neve mbrojtja e trashëgimisë kulturore do të jetë përkushtim i veçantë, me të cilin nuk bëjmë kompromis. Në fund të fundit, beteja se kujt çfarë i takon dhe e kujt është, në botën bashkëkohore europiane nuk është tema e parë e diskutimit, ndërsa në kulturën tonë, po e quajmë mesdhetare, aq shumë janë të pleksura ato gjëra, sa nuk di sa ia vlen si betejë. Secili ka të drejtë të identifikohet me elementet e tij trashëgimore dhe ne duhet të kemi respekt për atë.

 

  1. A planifikoni programe të veçanta për mbështetje të projekteve kulturore të komuniteteve të ndryshme etnike në Republikën e Maqedonisë?

Do të doja që Ministria e Kulturës të mos i shohë më projektet kulturore në Maqedoni si projekte të një komuniteti a të një tjetri, por ato të shihen si pronë e përbashkët e gjithë shtetit dhe të gjitha komuniteteve në vend, por konsideroj se për këtë duhet të punojmë akoma. Andaj, aktualisht, ne duhet ta zbusim qasjen monoetnike dhe monoreligjioze që ka mbretëruara për vite të tëra në jetën kulturore në vend, në mënyrë që të gjithë të ndjehen të përfshirë dhe të rëndësishëm. Në këtë drejtim, nuk dua të them se do të kenë përparësi projektet e tilla, por më saktë do të ishte të them se do të ketë drejtësi ose, akoma më konkretisht, nuk do të ketë diskriminim për askënd. Për neve të gjitha komunitetet e kanë rëndësinë e tyre të veçantë, janë entitete të veçanta kulturore dhe ne do të kujdesemi për të gjitha njësoj. Askush nuk është më shumë ose më pak i rëndësishëm në Maqedoni, mendoj në aspekt të kulturës, vetëm sepse është me përqindje më të lartë i pranishëm këtu. Sepse, fundja, të gjitha ato projekte përfundojmë si “projekte kulturore të Republikës së Maqedonisë”. Ky është vizioni jonë dhe ky do të jetë përkushtimi ynë.