Ansamblit shtetëror për këngë dhe valle shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut mbajti sot koncertin e vet të parë në Gostivar.
Koncertin e shpalli të hapur Afan Elezi, këshilltari i posaçëm i Ministrit të Kulturës, Hysni Ismaili.
“Më lejoni që fillimisht të ju përshëndes të gjithve në emër të Ministrit të Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.Hysni Ismaili, i cili për arsye objektive nuk është prezent, sonte në mesin tonë.
Gjithashtu, një falenderim i veçantë shkon edhe për ish-ministrin e Kulturës, z.Asaf Ademin, falë të cilit ky Institucion Kombëtar me 28 nëntor të vitit të kaluar realizoi një gala koncert me të gjitha shoqeritë kulturore artistike në vend dhe siguroi mjete për programe të pasura artistike për këtë vit”, tha Elezi në fjalimin e tij.
Ai shtoi se formimi i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe, është një konfirmim tjetër i kujdesit për kultivimin e traditës folklorike, vokale dhe vokalo-instrumentale të komunitetit shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Në të njëjtën kohë, ky Ansambël edhe në të ardhmen do të jetë një përfaqësues i denjë i folklorit, traditës dhe kulturës shqiptare jo vetëm në vend por edhe më gjërë.
Dua të theksojë se koncerti që po mbahet sonte, është pjesë e turneut të Ansamblit para publikës nikoqire, pra është hera e parë që ky institucion realizon projekt me kapacitete vetanake, dhe falë punës dhe angazhimit tonë, sot ky Ansambël numeron 37 të punësuar në stafin artistik”, theksoi ai.
Në atmosferë madheshtore, artdashësit sonte patën mundësi të ndjekin vallen e Karadakut, vallen e Jugut, vallen nga Tetova në Diber, si dhe performanca tjera nga këngët tona tradicionale. “Çdokush nga ne, e veçanërisht ne që udhëheqim me këtë ministri, kemi detyrë të shenjtë t’i ruajmë dhe kultivojmë këto vlera.
Ministria e Kulturës do të vazhdojë në përkrahjen e projekteve që afirmojnë kulturën dhe traditën shqiptare, dhe nëpërmjet paraqitjeve të Ansamblit, do ta festojmë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.
I uroj shumë fat, Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqipe, ndërsa juve artdashës ju dëshiroj argëtim të këndshëm”, përfundoi Elezi.