ASH-AAA: Nuk negociojmë për formimin e qeverisë

ASH-AAA: Nuk negociojmë për formimin e qeverisë

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët  dhe Alternativa në konferencën e sotme për shtyp njoftuan se nuk kanë zhvilluar asnjë takim formal për formimin e qeverisë së re. Nga koalicioni ASH-AAA  theksojnë se presin që BDI ta konsumojë të drejtën e tij për t’u bërë pjesë e qeverisë, si parti me më së shumti mandate në kampin politik shqiptar.

“Nuk do të hyjmë në negociata derisa Bashkimi Demokratik ta përmbushë premtimin e tij për ta bërë z. Naser Zyberi kryeministër. Madje, siç edhe e kemi thënë, nëse në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut vjen një propozim për kabinet qeveritar, ku z. Zyberi është kandidat për kryeministër, ne me 12 deputetët tanë do ta votojmë atë. Por, nëse BDI-ja nuk arrin ta realizojë këtë zotim, për të cilin e ka legalitetin, ajo parti nuk ka të drejtë që ndryshe të marrë pjesë në qeveri dhe prandaj vendi i saj mbetet opozita”, thuhet në njoftimin e koalicionit ASH-AA.

Lidhur me takimin e djeshëm të thirrur nga kreu i BDI-së Ali Ahmeti, nga ky koalicion thonë se të njëjtën ftesë e kanë pranuar por që kanë kërkuar vetëm shtyrjen e mbajtjes së takimit.