6 Shkurt 2019 / 14:26
Nikolla Gruevski nuk ka pasur ndihmës në shërbimet shtetërore të cilët i kanë mundësuar të arratiset nga Maqedonia pa u vërejtur. Prokuroria e krimit të organizuar pas tre muajve nga arratisja e tij, përmes njoftimit sqaroi se çfarë kanë bërë lidhur me zbardhjen e rastit, përkatësisht si ish kryeministri në vend që në burg, përfundoi në Hungari. Procedura parahetimore ka treguar se ka lëshime tek institucionet, por se Prokuroria nuk mundet konkretisht të detektojë përgjegjësi penale. Janë siguruar regjistrime nga kamerat e sigurisë nga bulevarde nëpër Shkup, regjistrime nga disa hotele në aeroportin e Shkupit si dhe akset rrugore drejt Dibrës dhe Spiles. Video- materiali i është dorëzuar policisë. Në ndërkohë, janë marrë në pyetje 56 persona, prej të cilëve 28 të punësuar nëpër kalimet kufitare. Dëshmi kanë dhënë gjashtë truproja, pesë policë dhe 17 persona të tjerë.
Prokuroria e Krimit të Organizuar
“Në këtë lëndë janë lëshuar 16 urdhra për lista, nga gjithsej 60 numra të telefonit nga persona që kanë pasur lidhje apo ka ekzistuar dyshimi se kanë kontaktuar me të akuzuarin në periudhën kritike. Këto lista janë siguruar dhe prej tyre fillimisht janë vërtetuar disa fakte që janë lëndë e veprimit dhe analizës së mëtutjeshme”.
Kontrolli në Sistemin e integruar kufitar ka treguar se Gruevski nuk ka qenë i evidentuar në sistem se në mënyrë legale është larguar nga Maqedonia. Të njëjtën e konfirmojnë edhe nga Interpoli. Prokuroria ka vërtetuar se Gruevski në shtator të vitit të kaluar ka boshatisur llogaritë e tij bankare duke nxjerrë 120 mijë euro. Pas kësaj, bankat kanë alarmuar. E kanë njoftuar Drejtorinë për Zbulim Financiar dhe PSP-në. Por, prokurorja speciale Janeva në intervistë për 1TV paraprakisht e siguroi opinionin se nuk e ka ditur që Gruevski i ka marrë paratë.
Pohoj në mënyrë të prerë se ne nuk kemi qenë të njoftuar se ai po i boshatis llogaritë. Çfarë është më me rëndësi? Ne kërkojmë që të kthehen shumë fonde në buxhetin e Maqedonisë, si me ndihmë ndërkombëtare juridike ashtu edhe me hetimet dhe para- hetimet e PSP-së”. – ishte shprehur Katica Janeva, prokurore Speciale
Nikolla Gruevski përmes paraqitjes së parë në televizion nuk tregoi se si është arratisur nga Maqedonia. I porositi Qeverisë së kryeministrit Zaev të zbulojë në hollësi se si është larguar nga Maqedonia.
Bojan Stojanovski
Loading…