Atentati gjatë ndeshjes Francë- Shqipëri, 48-vjeçari u qëllua gabimisht… shenjestër ishte dikush tjetër!

Atentati gjatë ndeshjes Francë- Shqipëri, 48-vjeçari u qëllua gabimisht… shenjestër ishte dikush tjetër!

Plagosi një 48-vjeçar në lokal, arrestohet autori i dyshuar. 28- vjeçari i akuzuar për një atentat të ndodhur katër ditë më parë në qytetin e Korçës, është vënë në pranga.

Bëhet fjalë për J. Hoxha, i cili sipas Policisë rezulton person me të kaluar kriminale. 28-vjeçari la të plagosur me armë zjarri, Ilir Hoxhën, 48 vjeç. Ky i fundit ishte duke ndjekur ndeshjen e futbollit Francë-Shqipëri në një prej lokaleve të qytetit të Korçës kur u qëllua me kallashnikov.

48-vjeçari mbeti i plagosur aksidentalisht, pasi shënjestra e autorit në fakt ishte një tjetër person.

Sipas Policisë, 28- vjeçari rezulton person me dy precedentë të mëparshëm penalë dhe se nuk ka qenë emër i panjohur për Policinë, madje rezulton një person me identitet të ndryshuar.

Por, ndërsa plagosi 48-vjeçarin në lokalin në afërsi të një karburanti dhe u largua, Hoxha pas 4 ditësh është vetëdorëzuar i shoqëruar edhe nga avokati i tij mbrojtës.

Sipas të dhënave konfidenciale, shkaku që 28-vjeçari ka qëlluar në drejtim të lokalit ka qenë prishja e një pazari të vjetër lënde narkotike, ndërkohë që shënjestër e autorit ka qenë dikush tjetër. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, objektivi dhe palët në konflikt kanë qenë të tjerë, ndërsa i plagosuri nuk ka pasur lidhje me ngjarjen thjesht është plagosur gabimisht.

Edhe pse nuk bëhen të ditura detaje specifike mbi çështjen hetimore dhe konfliktin, Policia ka bërë me dije se gjithçka mund të ketë ardhur nga prishja e pazareve të drogës.

“Në vijim të punës për kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes, kontrolleve të shumta të ushtruara nga ana e Policisë Korçë, si edhe falë bashkëpunimit me familjarët dhe avokatin e autorit të dyshuar, u bë e mundur që gjatë mbrëmjes së djeshme shtetasi J.H., 28 vjeç, banues në Korçë, të vetëdorëzohet në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, i shoqëruar nga avokati i tij. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim për veprat penale ‘Vrasja me paramendim, mbetur në tentativë’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve e municionit’, në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e datës 07.09.2019, ku për motive të dobëta, shtetasi J.H.,ka tentuar të vrasë me armë zjarri tip kallashnikov shtetasin I.H., (i cili për pasojë ka mbetur i plagosur) dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet në përdorim të tij.

Gjatë marrjes në pyetje nga Specialistët për Hetimin e Krimeve, shtetasi J.H. ka treguar edhe vendin ku kishte hedhur armën e krimit, e cila iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin tip “BMW””, bëhet e ditur nga Policia, ndërkohë që në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet./panorama