Atentati me armë në hotelin në Tushemisht, arrestohen 4 persona në Pogradec

Atentati me armë në hotelin në Tushemisht, arrestohen 4 persona në Pogradec

Policia e Pogradecit finalizon operacioni policor i koduar “Driloni”duke çuar në pranga 4 autorë të ngjarjes në Tushemisht.



Në pranga përfunduan Ilir Berberi i cili njihet si organizatori dhe bashkëpunëtorët Ilir Meçolli, Ardian Xhuti dhe Elvir Haxhia.

Dy ditë më parë u vu në pranga edhe një bashkëpunëtor tjetër.

NJOFTIMI I PLOTE
Në vijim të punës intensive hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjeve të ndodhura më datë 01.08.2020 dhe 08.08.2020, pranë hotelit në pronësi të shtetasit J. M., në fshatin Tushemisht, strukturat e DVP Korçë dhe forcat Renea, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit Pogradec, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, finalizuan operacionin policor të koduar “Driloni”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasve:

I. B., 52 vjeç, banues në Pogradec (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe sigurisë publike).

I. M., 29 vjeç, A. Xh., 29 vjeç, banues në Zvezdë, Maliq dhe E. H., 32 vjeç, banues në Pojan, Maliq (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”).

Ndaj shtetasit I. B., Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” kryer në bashkëpunim”, për ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2020, në lagjen nr. 3 përpara Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, ku në bashkëpunim me shtetas të tjerë 52-vjeçari ka kanosur pronarin e hotelit për të mos dëshmuar në një seancë gjyqësore, si edhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe IEVP gjatë kryerjes së detyrës.

Gjithashtu ky shtetas dyshohet të ketë rolin e organizatorit të ngjarjeve të ndodhura pranë hotelit, ku në bashkëpunim me tre personat e mësipërm dhe disa të tjerë, kanë kanosur me armë zjarri shtetasin J. M., si edhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotelit, duke i shkaktuar dëme materiale godinës dhe 7 mjeteve të parkuara.

Gjatë operacionit, shtetasit I. B. iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës një armë zjarri tip pistoletë dhe 59 fishekë që i posedonte pa leje.

Po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këto ngjarje.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.