Aventurat e Nëntor Osekut, që sollën turistë të huaj në trojet shqiptare (Video)

Fotografi nga Gjakova, Nëntor Oseku i cili viteve të fundit përmes fotografisë ka bërë promovimin e bukurive që ofrojnë trojet shqiptare, ka qenë i ftuar në emisionin “Histori Suksesi” në RTV Dukagjini.

Oseku ka rrëfyer eksperiencat e tij të jashtëzakonshme anë e kënd trojeve shqiptare.

Nëntori tregon se mishërimi i tij me fotografinë fillon si fëmijë kur axha i tij që jetonte në Suedi, u kishte sjellë një aparat fotografik   që mbante 36 poza.

Por, eksperienca e tij e vërtet me fotografinë do te fillonte në momentin kur ai do të eksploronte malet, bjeshkët, lumenjtë e liqenet.

Entuziasti i natyrës thotë se ngjitjen e tij të parë e kishte bërë me disa miq nga Tetova më pikën e quajtur “Maja e Titos”.

Aventurat e tij nëpër Kosovë do të vazhdonin me grupin nga Gjakova “Pashtriku”. Ai thotë se eksperiencat e para bashkë me grupin e kishin zënë të papërgatitur, madje në një rast tregon se derisa po ngjitej majave gjatë një shtatori, e kishte zënë bora pa kapelë e doreza.

Por, më pas gjithçka i ishte bërë rutinë në Kosovë. Synimi i tij ishte eksplorimi i bukurive të Shqipërisë, përcjell Telegrafi.

Ai këtë e arrin lehtësisht kur ishte njohur në internet me Fatjon Plakun. Bashkë me grupin e këtij të fundit Nëntori kishte kaluar kohë shumë të bukura duke vizituar kanione e male, e dete në gjithë Shqipërinë.

Në këtë rrëfim të jashtëzakonshëm për aventurat e tij, djali nga Gjakova tregon se përmes fotografive që ai ka shkrepur, shumë të huaj janë joshur për të vizituar Shqipërinë dhe Kosovën.

Për shkak të aktivitetit të tij në promovimin e turizmit shqiptar, Nëntori ka fituar edhe një çmim të rëndësishëm nga Ministra e Jashtme e Shqipërisë. Ai po ashtu është pajisur edhe me pasaportën e republikës së Shqipërisë për kontributin e tij.

Nëntori është juristë pranë Komunës së Gjakovës, por vazhdon aktivitetet e tij në male e dete çdo javë.

Ka vizituar edhe shumë vende të jashtme, por objektivi i radhës janë disa vende më specifike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./RTV Dukagjini/Telegrafi/

TAGS