Aviacioni Civil i Kosovës pret zhvillimin e hetimeve për fluturimin e aeroplanëve ‘Boeing 737’

Ende nuk është vendosur për përgjegjësitë e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe për aviokompanitë që kanë shfrytëzuar aeroplanët e tipit ‘Boeing 737 Max 8’ dhe ‘Boeing 737 Max 9’.

Deri tash Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) ka marrë një vendim të përkohshëm për të ndaluar operimin e modelit të aeroplanëve që kanë qenë në përdorim edhe nga operatorët ajror evropianë, disa nga të cilët operojnë edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil, Eset Berisha thotë se në vitin 2018 janë realizuar gjithsej 15 fluturime me këtë model mbi Republikën e Kosovës, mirëpo ka treguar se cilat aviokompani kanë shfrytëzuar fluturimet me këto dy tipe të aeroplanëve dhe çfarë masash do të ndërmerren ndaj tyre.

Berisha thotë se pa asnjë dyshim të gjitha fluturimet e planifikuara me këtë model të aeroplanëve zëvendësohen me modele të tjera për të siguruar një transport ajror të sigurt dhe mbarëvajtje të fluturimeve.

“Në Republikën e Kosovës është një numër mjaft i vogël i aviokompanive që kanë përdorur gjatë vitit 2018, ndërsa në vitin 2019 nuk kemi pasur asnjë fluturim të këtyre dy tipeve të mjeteve ajrore… Vendimi është i natyrës së përkohshme, do të thotë deri në vendimin e radhës varësisht prej rezultateve të hetimeve të cilat janë duke u zhvilluar në vendin e aksidentit, duke përfshirë edhe shtetin e prodhuesit dhe shtetin e aviokompanisë”, thotë Berisha

Ai ka shtuar vendimi i AAC-së nuk do të ketë asnjë efekt për zhvillimin normal të transport ndërkombëtar ajror.

Sipas Berishës edhe në Shqipëri është marrë një vendim për ndalimin e përkohshëm të këtyre tipave të aeroplanëve.

“Nuk kemi pasur asnjë ankesë. Në vitin 2018 shumë pak fluturime janë shërbyer më ketë mjet ajror, në vitin 2019 as një fluturim. Avikompanitë kanë shfrytëzuar mjete ajrore të tipeve dhe llojeve të tjera për arsye se është një prej llojeve të fundit, të vitit 2017. Kompanitë ajrore nuk kanë mundur që t’i fusin në flotën e tyre për përdorim për t’i realizuar fluturimet”, thotë ai.

Lexo po ashtu:

Derisa zyrtarë të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë nuk janë deklaruar për KosovaPress, fatkeqësisht pas aksidentit të ‘Ethiopian Airlines’ më 10 mars të këtij viti, dhe të ‘Lion Air’ në tetor të vitit 2018, u ngritën dyshime rreth ndërlidhjes së këtyre dy rasteve me këtë tip të aeroplanëve.

Prandaj shumica e shteteve operatorët e të cilave kishin në shfrytëzim këtë model të aeroplanëve, si masë preventive vendosen që të ndalojnë operimet me këtë model deri në zbardhjen e fakteve nga ana e hetuesve të aksidenteve ajrore.

Për më tepër kësaj mase iu shtua edhe operimi i këtyre aeroplanëve edhe mbi hapësirat ajrore përkatëse.

Aeroplanët e tipit ‘Boeing 737 Max 8’ dhe ‘737 Max 9’ janë modelet e fundit te aeroplanëve të prodhuesit ‘Boeing’ në SHBA. Për herë të parë kanë dalë në qarkullim në vitin 2017. Si aeroplan të teknologjisë së fundit ky prodhues gjerë më sot ka dorëzuar tek operatorët ajror afërsisht 500 aeroplanë të tillë, për më tepër edhe afërsisht 4500 tjerë janë në prodhim e sipër. /kp/Telegrafi/

TAGS