Bahtiri: Mitrovica do të bashkohet, nuk u pyetëm kur e ndanë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka folur për pritshmëritë që e presin vendin nëse bëhet korrigjimi i kufijve.

Bahtiri ka thënë se Mitrovica është e mitrovicasve dhe do të bashkohet, pasi sipas tij kur u bë ndarja e qytetit, mitrovicasit nuk u pyetën.

“Gjaku i dëshmorëve do të mbrohet. Mendoj që Mitrovica do të jetë epiqendër e çdo iniciative ku dëshirojnë të ndahen kufijtë në territorin e Kosovës. Mitrovica po ashtu do të jetë epiqendër për ta rrëzuar atë iniciativë. Sepse qytetarët e Mitrovicës nuk u pyetën në atë kohë për tu ndarë. Qytetarët e Mitrovicës e kanë dhënë mendimin e vet”, ka thënë ai.

I pyetur se çka ndodhi me nënshkrimet e qytetarëve të Mitrovicës në peticionin për bashkimin e Mitrovicës, të cilat janë dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ai tha: “Sekretaria është duke verifikuar secilin nënshkrim, shpresojmë që shumë shpejt do të jetë në Kuvendin e Kosovës”.

Sa i përket fshatit Boletin se ku do të mbetet nëse bëhet korrigjimi i kufijve, Bahtiri tha se Boletini do të jetë i Kosovës, ashtu siç edhe ka thënë se “Isa Boletini është pararojë i veriut”.

“Ju e dini shumë mirë se kur ishim në luftë me presidentin, Hashim Thaçi se a do t’i dërgojmë eshtrat e Isës në Vlorë a në Boletin, unë kam qenë këmbëngulës që do t’ia çojmë në Boletin, dhe kam thënë se Isa Boletini do të jetë pararojë i veriut. Dhe kur them askush në botë s’ka kush e merr Boletinin, se Isa Boletini i ka krejt trojet shqiptare. Ai do të jetë pararojë i veriut”, potencoi kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Ndryshe, kryetari i  Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në tubimin përkujtimor në 19-vjetorin e masakrës së natës ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës, ka thënë se nëse preket qyteti i Mitrovicës do të ketë luftë.  /Telegrafi/

TAGS