Bahtiri: Turqia mbetet një partner serioz dhe shtet i rëndësishëm për Kosovën

Bahtiri: Turqia mbetet një partner serioz dhe shtet i rëndësishëm për Kosovën

Kryetari i komunës Agim Bahtiri , sot është takuar me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, me të cilin ka biseduar për investimet e shtetit të Turqisë dhe bashkëpunimin në mes të tyre.

Me këtë rast, kryetari Bahtiri tha se Turqia mbetet një partner serioz dhe një shtet i rëndësishëm për Kosovën si në investime ekonomike, ashtu edhe në ndihma që i ka bërë për Kosovën deri më tani, transmeton Telegrafi.

Ai shtoi se, qyteti i Mitrovicës do të jetë i gatshëm të bashkëpunoj çdo herë me ta.

“Turqia dhe populli i saj janë miq të Kosovës dhe popullit shqiptarë. Ndihma e tyre ka qenë e pakursyer dhe shumë e madhe që prej përfundimit të luftës e deri sot. Me këtë mbështetje Turqia po ndihmon ardhmërinë e Mitrovicës dhe të Kosovës. Ne u jemi shumë mirënjohës për mbështetjen që po na e jepni në krijimin e kushteve më të mirë në arsim, shëndetësi si e fusha të tjera”, tha kryetari Bahtiri.

Në fjalën e tij ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar tha se vërtetë ndjehet i lumtur që shteti i tij po e përkrah Kosovën por edhe Mitrovicën.

Diplomati turk tha se pas takimeve që ka pasur me liderët institucioneve të Kosovës tashmë ka nisur vizitën nëpër komunat e Kosovës.

“Turqia do të vazhdoj të përkrah institucionet e Kosovës, por edhe kryetarët e komunave. Dëgjova se Mitrovica është pjesë e rëndësishme e Kosovës por edhe e tërë Ballkanit dhe ne si Turqi kemi marrëdhënie shumë të mira me Kosovën dhe përveç kësaj ne kemi edhe lidhje historike– shqiptarët në Turqi dhe turqit në Kosovë janë urë lidhëse mes dy vendeve tona. Para dhe pas pavarësisë së Kosovës ne jemi të gatshme t`iu ndihmojmë dhe t`i forcojmë edhe më shumë lidhjet tona politike që kemi, por të bashkëpunojmë më shumë në rrafshin ekonomik dhe mundësinë e investime turke në Kosovë. Sikur të respektohet marrëveshja Kosovë – Turqi e nënshkruar më 2013 për tregti ndërmjet dy vendeve besoj se investimet nga Turqia këtu do të ishin më të mëdha”, tha gjatë takimit ambasadori turk. /Telegrafi/

TAGS