Banorët e lagjes ‘Vreshta’ në Prishtinë, në hall me hajnat

Banorët e lagjes ‘Vreshta’ në Prishtinë, në hall me hajnat

Banorët e lagjes ‘Vreshta’ të kryeqytetit janë në hall me hajnat. Cak i vjedhjeve në këtë lagje janë bërë shtëpitë, e që për banorët është mjaft shqetësuese, sepse përveç dëmit ata po ndihen edhe të rrezikuar për jetë.

Për të pasur një siguri më të lartë pothuajse të gjitha shtëpitë në këtë lagje të Prishtinës janë pajisur kamera.

Rasti i fundit i plaçkitjes ndodhi dy javë më parë kur familja Hasani kishin shkuar për të pushuar dhe kur ishin kthyer e kishin gjetur shtëpinë të thyer nga hajnat. E rastin në Polici e kishte lajmëruar djali, i cili po qëndronte në shtëpi i vetëm.

Zonja e shtëpisë, S.H ka treguar për KosovaPress se teksa ata po pushonin në Banjën e Kllokotit, në shtëpinë e tyre u kishin hyrë hajnat të cilët u kishin shkaktuar disa dëme.

Ajo thotë se momentin kur e pa gjendjen e shtëpisë u tmerrua dhe iu duk sikurse ishin kthyer nga lufta

“Kur hyn hajni në shtëpi ku e dinë t’i çka ndodh. Djali ka qenë këtu por fatbardhësitë djali ka qenë në punë në pikë të ditës hanë hyrë a kanë hyrë dy a ka hy një si ka informuar policia kanë qenë këmbë të mëdha dhe disa të vogla, por ata kanë hyrë rreth shtëpisë dhe pas shtëpie… Kanë hyrë për dritare e kanë hapur me pajser nuk e kanë thyer kanë hyrë pastaj kat kat përpjetë. Dhomën time e kishin bërë sikur me qenë luftë kur e pash beso u tmerrova…Nuk guxoja me hy se u shqetësova shumë tash për çdo ditë çka të shikoj mungon diçka them e paskan marr”, tha ajo.

Ajo është shprehur e pakënaqur edhe me punën që po e bëjnë organet e rendit.

“Edhe djali e ka lajmërua për shembull janë vonuar 40 minuta… Kur të lajmërosh nuk mund të thuash se është vjedhje urgjente a nuk është urgjente. Drisa kanë ardhur kanë mundur edhe me mbyt këtu. Kam vërejtje edhe për ata se fundi i fundit kur të bëhet vepra tani asgjë, mundohesh me ndihmua”, tha ajo.

Banorët e kësaj lagjeje të kryeqytetit kanë thënë se hajnat kanë kryer vjedhje edhe te shtëpitë tjera afër tyre, dhe që cak i këtyre vjedhjeve janë edhe shtëpitë e pabanuara.

I shqetësuar për plaçkitjet që po ndodhin në lagjen e tij është shprehur edhe banori tjetër, Kadri Hasagjekaj, i cili tha se për shkak të këtyre ndodhive nuk po guxon ta lë shtëpinë vetëm.

Ai thotë se edhe Policia patrullojnë rrallë në këtë zonë, prandaj edhe hajdutët po i rrezikojnë ata.

“Po hyjnë hajnat, mua personalisht ende nuk më kanë hyrë ende, por kurrë shtëpinë vetëm nuk guxoj me e lënë, në kojshi i kanë vjedhura sa herë. Janë njoftuar edhe policia as nuk marrin masa… Ndihem i rrezikuar. Kurrë shtëpinë nuk guxoj me lënë vetëm. Edhe me thirr policinë nuk vijnë hiq”, tha i shqetësuar ky banor.

Se vjedhje të shumta po ndodhin në Lagjen “Vreshta“, e pranojnë edhe Policia e Kosovës.

Sipas Drejtorisë Rajonale në Prishtinë vetëm në muajin mars kanë ndodhur 6 vjedhje, për të cilat janë nisur edhe hetimet.

Përmes emailit nga zyra për informim në këtë institucion të sigurisë kanë bërë të ditur se në tre mujorin e parë të këtij viti kanë ndodhur 308 vjedhje prej tyre 200 janë cilësuar si të rënda, kurse janë arrestuar gjithsej 608 persona./kp/Telegrafi/

Foto: Ilustrim

TAGS