Banorët e një lagjeje në Prishtinë të rrezikuar nga ujërat e zeza (Foto)

Banorët e një lagjeje në Prishtinë të rrezikuar nga ujërat e zeza (Foto)

Banorët e lagjes Taslixhe e kanë të vështirë të dalin në oborr apo t’i mbajnë dritaret hapur gjatë këtyre ditëve kur kanë filluar temperaturat të rritën për shkak të kundërmimit që u sjellin ujërat e zeza që po u kalojnë afër shtëpive.

Më së shumti këtë problem po e kanë banorët dhe bizneset që veprojnë në rrugën që mban emrin “Shpëtim Robaj”, rrugë kjo që të shpie në parkun e Gërmisë.

Banori i kësaj lagje, Ymer Havolli thotë se rrjedhja e ujërave të zeza është një problem i kamotshëm me të cilën po ballafaqohen këta banorë, por që presin zgjidhje sa më shpejt.

Kalimi i ujërave të zeza që rrjedhin në ujin e pastër të Gërmisë problem e ka edhe Elmie Mustafa, e cila tha se në këtë drejtim komuna e Prishtinës nuk po ndërmerr asgjë dhe kështu po u rrezikon shëndetin e banorëve.

Erërat që po kundërmojnë në këtë pjesë mjaftë të frekuentuar të kryeqytetit po e vështirësojnë edhe fushë veprimtarinë e shumë bizneseve.

Bahri Brahimi, pronar i njërës nga mobilieritë në këtë lagje, tha se me ngritjen e temperaturave kundërmimi është bërë edhe më i madh.

Ai kërkoi që të ndërmerren masa më të shpejt në zgjidhjen e këtij problemi i cili po rrezikon shëndetin e qytetarëve.

E sipas Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” bëhet e ditur se në rrugën “Shpëtim Robaj” komuna e Prishtinës ka nisur disa punime për zgjerim të rrjetit të kanalizimit.

Këtë e ka thënë përmes postës elektronike zëdhënësja e KRU-së “Prishtina”, Arjeta Mjeku, e cila tha se vetëm brenda një muaji, kanë debllokuar 307 puseta.

“Në rrugën ‘Shpëtim Robaj’ në Prishtinë, Komuna e Prishtinës ka filluar punimet në zgjerimin e rrjetit të kanalizimit dhe janë duke u bërë kyçja në rrjet e shumë banimeve në afërsi. Si ujësjellës i mirëmbajmë pusetat e ujërave të zeza, ku vetëm brenda një muaji kemi debllokuar 307 raste në Prishtinë“, thuhej në këtë porosi elektronike.

KosovaPress shkruan se për javë të tëra ka tentuar të marrë një përgjigje nga Komuna e Prishtinës për këtë çështje, por këtë të fundit nuk janë përgjigjur. /Telegrafi/

TAGS