Bardhi për letrën e gjashtë të Ramës: Shpresoj të jetë e fundit, je i pafuqishëm

Bardhi për letrën e gjashtë të Ramës: Shpresoj të jetë e fundit, je i pafuqishëm

 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është përgjigjur letrës së gjashtë publike të kryeministrit Edi Rama, duke shpresuar, siç thotë ai, që të jetë e fundit që i drejtohet opozitës.

Ai akuzon kryeministrin se po injoron shkaqet reale të krizës dhe problemet e qytetarëve, duke i fyer ata.

Sipas Bardhit, me letrat që publikon, Rama nxit dhunë dhe provokon protestuesit, ndërkohë që është i pafuqishëm, sipas tij, të ndalë triumfin e qytetarëve të bashkuar.

“Në vend që të shkruajë letra luftënxitëse, që me hipokrizi i quan “ftesa për dialog”, Edi Rama bën mirë të kuptojë se ai është i pafuqishëm të ndalë triumfin e shqiptarëve të bashkuar. Kauza jonë për zgjedhje të lira e të ndershme, për të ndërtuar Shqipërinë si gjithë Europa, është kauza më e drejtë për të cilën shqiptarët kanë luftuar këto 29 vite, që pas rrëzimit të diktaturës. Vetem një qeveri e dalë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, është garanci për mireqenie, punësim dhe zhvillim për qytetarët shqiptarë”, thotë ai.

Bardhi kujton edhe një episod në protestën e fundit me një qytetar. ” Këto ditë kam lexuar me qindra komente për letrat hipokrite dhe hilacake të Edi Ramës, por efektin e vërtetë të tyre e kuptova gjatë protestës se fundit. Në momentin kur përpiqesha të ndaloja qytetarë të zemëruar tek Parlamenti, njëri prej tyre, rreth 50 vjeç, i revoltuar nga ndërhyrja ime, më tha: “Pse ma heq të drejtën të marr hak? Edi Rama me ka lënë fëmijët pa bukë. Tani tallet me mua me ato letrat në facebook”. Episodi i babait që lufton për mbijetesë në regjimin e panjerëzishëm të Edi Ramës, m’u kujtua tani, kur lexova letrën e gjashtë (shpresoj të fundit), në të cilën ai vazhdonte të tallej, të fyente dhe të provokonte me mijëra e mijëra protestues.

Duke injoruar shkaqet reale te krizës dhe problemet reale të qytetarëve, duke i fyer ata sa herë që ka mundësi, duke mos patur ndjeshmërinë më të vogël për mijëra prindër që nuk kanë me çfarë ushqejnë fëmijët, duke u hakmarrë politikisht dhe duke dërguar tatimet në bizneset e qytetarëve që dalin në protestë, duke mos hequr dorë nga kërcënimi për prishjen e shtëpive që pengojnë planet e tij korruptive, Edi Rama nuk bën asgjë tjetër me letrat e tij, veçse nxit dhunë dhe provokon qytetarët që u ka shkuar thika e pushtetit të tij në palcë”, tha ai, transmeton tch.

Kryeministri Rama publikoi sot letrën e gjashtë për kryeopozitarin Lulzim Basha, të cilit i bëri sërish thirrje për dialog pa kushte, duke qenë se kjo është java e fundit përpara se të nisë zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit.

Basha i ka refuzuar deri më tani thirrjet e Ramës për dialog, duke mos ndryshuar qëndrimin për largimin e tij nga posti i kryeministrit dhe hapjes së rrugës për krijimin e një qeverie tranzitore që, sipas kreut të PD-së, do të bëjë të mundur organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. PD dhe LSI nuk janë regjistruar ende për zgjedhjet lokale.

TAGS