“Basha i rrethuar nga biznesmenë ‘demokratë’ që vetëm lajnë paratë, herët a vonë do i vijë koha për…”

“Basha i rrethuar nga biznesmenë ‘demokratë’ që vetëm lajnë paratë, herët a vonë do i vijë koha për…”

Parashikime te zymta per PD-ne, ben analisti Artur Zheji, qe shkruan sot se “Basha nga një pjesë e trashëgimisë Berishiane, është i rrethuar nga disa politikanë biznesmenë “demokratë”, që vijonë të lajnë e të shplajnë paratë e tyre, madje edhe ti shtojnë ato, nën përkujdesin e kryeministrit dhe udhëzimeve përkatëse”.

Partia Demokratike, kështu si është sot, e ka rrëfyer veten të paaftë që të fitojë zgjedhjet.
Por jo vetëm kaq, bjerrja e kësaj partie dhe përçarja e saj e thellë, përbën shqetësim edhe për të përditshmen e krejt jetës politike dhe sociale shqiptare.

Së shpejti po afron edhe Kongresi i saj, një Kongres që ka në thelb një udhëkryq, ngurtësimin përfundimtar të përçarjes, apo mundësinë e vetme për tu Ribashkuar, dhe për tu Ringritur.
Nëse Lulëzim Basha, ndërmori pas humbjes së vitit 2013 një operacion ripërtëritjeje të kësaj partie, ky “Operacion”, pësoi dy humbje njera pas tjetrës, në vitin 2015, që ishte e pritshme dhe e natyrshme, dhe një katastrofë të panatyrshme, në vitin 2017.
Katastrofa e vitit 2017 e thelloi përçarjen brenda PD dhe e rriti proporcionalisht “dashurinë” dhe përkujdesin e gjithëanshëm të kryeministrit për Bashën, si një “aset të dashur” të Fatit të tij politik, dhe si një kundërshtar ndaj të cilit, ai, nuk e ka të vështirë të fitojë.
Duke gjykuar moshën e Lulëzim Bashës, duket se përllogaritja është më së shumti e lidhur me karierën e tij personale.

Herët a vonë, mjafton që Basha të qëndrojë në krye të PD, do të jetë “koha”, përmes mekanizmave të saja, që do ta sjellë edhe njëherë në pushtet atë, dukë bërë të pabesueshmen të ndodhë.
Nga ana tjetër Basha, nga një pjesë e trashëgimisë Berishiane, është i rrethuar nga disa politikanë biznesmenë “demokratë”, që vijonë të lajnë e të shplajnë paratë e tyre, madje edhe ti shtojnë ato, nën përkujdesin e kryeministrit dhe udhëzimeve përkatëse.
“Ata”, nuk e kanë dashur asnjëherë Bashën, të piketuar që në krye të herës, si pasardhësi i Berishës, vend të cilin e ëndëronin për vete, ose për miqtë e tyre të kontrollueshëm.
Çështja është se, Basha, jo vetëm për faj të tij, nuk ja mbrrin dot:
As ta ripërtërijë krejtësisht dhe as ta bashkojë dot plotësisht Partinë Demokratike, duke e marrë mbi vete, pakënaqësira të gjithëanëshme.

Por kush mund të ishte sot rivali i Bashës në PD?
Kjo dhe është pjesa më e vështirë e analizës që bëhet dhe që me sa duket bën edhe Berisha, njohësi më i mirë i pjellës së vet politike.
Sot Basha ka, shumë kundërshtarë të hapur apo jo, në Partinë Demokratike, por në të njejtën kohë, nuk ka rivalë, që të jenë të barazlarguar si nga ai, ashtu edhe nga Berisha.
Në situatën e sotme Basha ka vetëm denoncues dhe pretendë, që duan ti mbushin mendjen Berishës, që ose ai të rikthehet në krye të partisë, ose të konspirojë për heqjen e Bashës nga ai post, pastaj të ndodhë çfarë të ndodhë.

Kjo edhe është pika më e zymtë e mungesës së prespektivës ringritëse të PD, që shënon edhe Fatin e madh, politik të Ramës, e që edhe pas mjaft fiaskove, nuk e sheh veten politikisht të rrezikuar.