Basha – Ramës: Do të lutesh të kesh fatin e Gruevskit

Basha – Ramës: Do të lutesh të kesh fatin e Gruevskit

Në një bashkëbisedim me gazetarët, kreu i PD-së, Lulzim Basha foli për atë që e quajti natë dramatike, duke iu referuar protestës së katërt madhore të opozitës, që u shoqërua me akte të pazakonta dhune.

“Nata e mbrëmshme ishte një natë dramatike, kulmim i një krize nga më të thellat dhe që prek aspektet më të ndjeshme në jetën e qytetarëve shqiptarë. Nga aspekti ekonomik, te pasiguria për të nesërmen, që burojnë nga asgjësimi i sigurisë juridike, barazia përpara ligjeve, apo pandëshkueshmëria e autoriteteve që duhet të veprojnë për sundimin e rendit dhe të ligjit. Pasiguri jo vetëm për qytetarët që dalin rrugëve, apo duan të konsumojnë një kafe në barin e lagjes, por edhe pasiguri për vendin e punës. Gjithçka e përmbledhur në një krizë ku pasiguria është ulur këmbëkryq në të gjitha fushat”, tha Basha, shkruan tch.

Sipas kreut të demokratëve, dje qytetarët shqiptarë u “bombarduan” nga gazi lotsjellës i sunduesve prej 6 vitesh të këtij vendi.

“Gjithçka ka humbur për një arsye të thjeshtë, sepse prej 6 vitesh vendi nuk qeveriset por sundohet nga disa persona që janë atje tërësisht jashtë vullnetit të popullit. Fati i tyre nuk është në dorën e ligjit. Kjo ndjenjë mori forma dramatike mbrëmjen e kaluar, ku protestues të ardhur nga i gjithë vendi për t’i kthyer Shqipërisë normalitetin dhe për t’u bërë një shoqëri e ngjashme me ato europiane, u përballën me përgjigjen e një junte kriminale ndaj protestuesve dhe gjithë qytetarëve dhe banorëve të qendrës së Tiranës, që dje morën në shtëpitë e tyre doza të shumta të gazit helmues dhe gazit lotsjellës, që u përdorën kundër qytetarëve që kishin dalë në të drejtën e tyre për të protestuar kundër një qeverie të dalë nga vota e deformuar e qytetarëve”, deklaroi Basha.

Ai theksoi sërish se beteja e PD-së nuk është për pushtet, por për t’i rikthyer normalitetin vendit.

“Urdhëruesi i vërtetë i kësaj maskarade ka dalë para shqiptarëve, ndërsa urdhëruesi i vërtetë i gazit helmues u pa qartë sesa larg realitetit është, teksa pa gjithçka nga vila e tij shumë milionëshe. Ky urdhërues, herë bën gaztorin, e herë arrogantin, cinikun. Është e qartë që kështu nuk mund të vazhdohet më. Beteja jonë nuk është një betejë për pushtet, as personale mes meje dhe Edi Ramës. Unë atë e kam mundur, por atë e ka mundur edhe lodhja, pushteti dhe zullimi, e ka mundur varfëria e popullit, por edhe hajnia e arroganca. Sot, Partia Demokratike është nisur për t’i rikthyer normalitetin këtij vendi, në mënyrë që çdo shqiptar të jetojë në vendin e vet”, tha Basha.

Kreu demokrat paralajmëroi Ramën përpara protestës tjetër të programuar për nesër pasdite, në ora 18:30.

“Në prag të protestës kombëtare të thirrur nesër, në 18:30, dua t’i bëj një paralajmërim të qartë kreun e klikës në pushtet: Mos i kalo caqet, mos u fshih pas blindave të Gardës. Në rastin më të mirë do të lutesh të kesh fatin e Nikola Gruevskit”, tha Basha.

TAGS