Me vizitën e Muzeut Arkeologjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe deklaratave të ministrit të Kulturës, Hysni Ismaili, dhe ministrit të Kulturës dhe Turizmit të Republikës Popullore të Kinës, Luo Shugang, sot përfundoi Forumi i Katërt për Bashkëpunim Kulturor ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, organizator i të cilit ishte vendi ynë.
Në Forumin Ministror u diskutuan interesat e përbashkëta për përforcimin e mëtutjeshëm të lidhjeve kulturore ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të EQL-së, ndërsa ishin rënë dakord të punohet në avancimin e bashkëpunimit kulturor, si dhe të përqëndrohet në promovimin e trashëgimisë kulturore, produksionin dhe shpërndarjen e filmave, industrive kulturore dhe kreative, artit bashkëkohor dhe në fushat e tjera të rëndësishme.
Në Forum ishte konfirmuar themelimi i Qendrës Koordinuese për Bashkëpunim Kulturor ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut, në pajtim me Deklaratën e Hangxhou për Bashkëpunim Kulturor (2018 – 2019), e cila do të përqendrohet në mbikëqyrjen dhe në avancimin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të EQL-së, si dhe zbatimin e të gjitha dokumenteve të miratuara, duke siguruar kështu një proces efikas të bashkëpunimit. Ishte promovuar edhe ueb-platforma e Qendrës Koordinuese për Bashkëpunim Kulturor ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të EQL-së, e cila do të shërbejë si një mjet për shkëmbimin dhe promovimin e informatave në fushën e kulturës dhe do ta lehtësojë komunikimin, shkëmbimin e informatave dhe ideve dhe koordinimin midis institucioneve dhe organizatave kulturore kombëtare në vendet e Iniciativës “17 + 1”.
Ministrat e Kulturës e përshëndetën miratimin e Deklaratës së Shkupit, përmes së cilës përfaqësuesit e vendeve të Procesit ranë dakord për zbatimin e disa aktiviteteve të rëndësishme, të cilat janë pjesë e Planit të Bashkëpunimit Kulturor ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të EQL-së për dy vitet e ardhshme (2020 – 2021).
Ministri i Kulturës, Ismaili, informoi për disa nga aktivitetet që do të zbatohen në pajtim me Planin, siç është mbajtja e Forumit të Dytë të Unionit të Bibliotekave ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, organizator i të cilit do të jetë vendi ynë në vitin 2020. Ndër aktivitetet e tjera, parashikohet që vitin e ardhshëm gjatë mbajtjes së festivalit të njohur botërisht, Festivalit Ndërkombëtar të Kamerës së Filmit “Vëllezërit Manaki” të realizohet Punëtoria e arteve audiovizuale për produksionin dhe shpërndarjen e filmit. Është parashikuar edhe bashkëpunimi intensiv në fushën e trashëgimisë kulturore me mundësi në të ardhmen, në vitin 2021, Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë organizatore e Forumit të Tretë për Trashëgimi Kulturore që do të mbahet në Rajonin e Pellagonisë.
Ministrat Ismaili dhe Shugang njoftuan se bashkëpunimi ishte parashikuar në të ardhmen ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në fushat e muzikës, vallëzimit, teatrove, arteve vizuale dhe shfaqjeve, si dhe në fushën e industrive kreative. Ata informuan se në pajtim me Planin, një punëtori duhet të mbahet në Ohër në vitin e ardhshëm për t’i shkëmbyer informatat mbi sfidat me të cilat përballet sektori i industrive kulturore dhe kreative, shkëmbimi i përvojave dhe praktikave, si dhe dhënia e ideve për mbështetjen, promovimin dhe zhvillimin në këtë fushë.
Është parashikuar që RP e Kinës dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore të bashkëpunojnë në fushën e muzikës të realizuar nga orkestra, duke e mbështetur idenë e shoqërimit të muzikantëve më të famshëm nga të gjitha vendet e Iniciativës 17 + 1 në një orkestër, e cila do t’i performojë simfonitë më të famshme në festivalet ndërkombëtare ekzistuese në secilin prej vendeve të Iniciativës “17 + 1”.
Në Forumin e Katërt për Bashkëpunim Kulturor ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore morën pjesë ministrat e Kulturës ose përfaqësuesit e tyre nga: RP e Kinës, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Greqia, Hungaria, Letonia, Lituania, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia dhe natyrisht Republika e Maqedonisë së Veriut.
Delegacionet e larta nga Iniciativa “17 + 1” mbrëmë morën pjesë në koncertin e Filarmonisë Kombëtare, në mëngjes pas shikimit të ekspozitës në Muzeun Arkeologjik dhe performancës së treshes së Toni Kitanovskit, vazhduan turneun e tyre në Xhaminë e Vjetër të Shkupit me karakteristikat e veta.
Ministri i Kulturës dhe Turizmit i RP të Kinës, Shugang, duke falënderuar për mikpritjen dhe për aktivitetet e kontraktuara të ardhshme të Forumit, tha se ai do të jetë ambasadori i vendit tonë në RP të Kinës për thellimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat e jetës.