Ish-drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar, Bashkimi Ameti, dhe tre punonjës të tjerë kanë marrë kallëzime penale për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe autoritetit. Sipas policisë, të katër këta nuk kanë vepruar pas një aktgjykimi të gjykatës për konfiskimin e pronës dhe kështu e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit.
“Në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2012, i denoncuari/akuzuari i parë dhe e denoncuara e dytë, si menaxherë në Agjencinë për Menaxhimin me pasuritë e Konfiskuara të Republikës së Maqedonisë, i denoncuari/padituri i tretë, si Ndihmës shef i Agjencisë dhe i denoncuari i katërt si Drejtor i Agjencisë, në kundërshtim me Ligjin, nuk kanë vepruar sipas një vendimi gjyqësor për konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme “. – theksuan nga Ministria e Punëve të Brendshme
Sipas informatave të Alsat M, Ameti si drejtor, megjithëse ishte i njoftuar me vendimin, me qëllim nuk ka organizuar dhe nuk ka kërkuar zbatimin e tij. Ndërsa tre të denoncuarit tjerë e kanë heshtur vendimin gjyqësor, me çka me vetëdije u kanë lejuar pronarëve ta përdorin pronën e tyre. Alsat M mëson se prona që është dashur të konfiskohet është e bosit të duhanit Bairush Sejdiu dhe vëllait të tij Naim Seferi nga Kumanova të cilët kanë marrë dënime me burg për rastin “Hiri 2”, që përfshin mashtrime dhe procedura falimentimi, por gjykata mori vendim që tu konfiskohet edhe e gjithë pasuria. Sipas Ligjit për Menaxhimin me Pasuri të Konfiskuara, Agjencia me aktgjykim të plotfuqishëm e shet pronën dhe fondet shkojnë në buxhetin e shtetit.
Pas bërjes publike të rastit në fjalë nga buletini i policisë dhe mediet ka reaguar menjëherë Bashkim Ameti duke sqaruar se rasti ka ndodhur në vitin 2011 dhe 2012, ndërsa ai është emëruar drejtor në vitin 2013.
Ameti për Almakos ka dërguar dokumentin e emërtimit të tij si drejtor në vitin 2013.
Bashkim Ameti ka deklaruar se beson në gjyqësinë e pavarur dhe inkurajon organet kompetente që sa më shpejtë të zbardhet e vërteta./Almakos/