BB parasheh rritje ekonomike prej 3.2%, Bytyqi: Ndoshta do t’u duhet të ndryshojnë mendim

BB parasheh rritje ekonomike prej 3.2%, Bytyqi: Ndoshta do t’u duhet të ndryshojnë mendim

Ekonomia e vendit në vitin 2020 mund të përballet me dobësim të klimës së biznesit dhe rritje të detyrimeve fiskale për shkak të rritjes së pagave në sektorin publik theksohet në raportin më të ri për Prospektet Ekonomike Globale të Bankës Botërore.

“Rritja parashikohet të jetë 3.8 për qind deri në vitin 2021 në Ballkanin Perëndimor, duke marrë parasysh gjithnjë paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë e politike. Rritja e detyrimeve fiskale, në disa raste për shkak të rritjes së pagave në sektorin publik, transferimet sociale, ose kostot më të larta se sa pritshmëria për projektet e infrastrukturës, mund të zvogëlojnë hapësirën për stimulimin fiskal të ardhshëm dhe të dobësojnë klimën e biznesit (Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi)”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Në përgjithësi për këtë vit Banka Botërore parasheh rritje të butë ekonomike. Për Maqedoninë e Veriut parasheh rritje prej 3.2%. E këshilltari i kryeministrit për ekonominë Fatmir Bytyqi mendon se Banka Botërore më vonë do t’i duhet të ndryshojë këtë parashikim të sajin, siç bëri në 2019-tën.

“Banka Botërore për shembull në vitin 2019 planifikonte rritje shumë të ulët prej 3.0%, diku në mes të vitit ndryshuan projeksionin e tyre në 3.3, dhe si duket do ta ndryshojnë prapë mendimin sepse numrat real për 2019-tën po tregojnë trende shumë më pozitive dhe do t’i afrohemi 4 përqindëshit të rritjes ekonomike”, i tha Fatmir Bytyqi Tv21.

Bytyqi nuk pret që rritjet e parapara të pagave në sektorin publik të ndikojnë negativisht në buxhetin shtetëror. E sa i përket klimës së biznesit, ajo mund të pësojë stagnim të vogël nga zgjedhjet që e presin vendin në muajin prill, thotë Bytyqi, ndonëse ekonominë e vendit e vlerëson si imune ndaj proceseve zgjedhore.

“Ajo që mendoj është se mund të ketë ndikim negativ, është periudha pas zgjedhjeve e formimit të qeverisë, sepse biznesit i duhet një qeveri stabile dhe politika stabile. Unë nuk mendoj se në këtë boshllëk, të vakumit eventual të qeverisjes nga një qeveri teknike, do të ketë lëvizje shumë të mëdha në aspekt të legjislacionit dhe të bërit biznes, por mendoj se kjo s’duhet të zgjasë gjatë sepse çdo zgjatje ndikon negativisht”, shtoi Bytyqi.

Sa i përket rajonit, Banka Botërore parasheh që Kosova të ketë rritje më të lartë me 4.2% ndërsa Serbia me 3.9 %. E nëse për Maqedoninë Banka Botërore parasheh rritje prej 3.2, Qeveria dhe Banka Popullore e vendit këtë vit presin rritje prej 3.8%.