BE dhe OKB organizojnë Ditën e hapur globale për gratë, paqen dhe sigurinë

Zyra e Bashkimit Evropian dhe Kombet e Bashkuara në Kosovë organizojnë bashkë edicionin e vitit 2019 të Ditës e hapur globale në Kosovë, duke shënuar afrimin e përvjetorit të 20 të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për gratë, paqen dhe sigurinë me një ngjarje e cila fokusohet në proceset gjithëpërfshirës gjinore dhe të politikës së përgjegjshme.

Tema e këtij viti është ‘Ndërtueset e besimit dhe negociatoret: Avancimi i agjendës së grave, paqes dhe sigurisë në Kosovë’

Ngjarja në stilin e mbajtjes së kuvendit përfshin një panel dhe dy debate televizive me ekspertë dhe politikan vendës, rajonal dhe ndërkombëtar të profilit të lartë, pasuar nga një sesion pyetjesh nga audienca.

E lansuar në dhjetor të vitit 2010 nga Departamenti për paqëruajtje, Departamenti për çështje politike, Programi i OKB-së për zhvillim dhe UN Women në përkujtim të dhjetëvjetorit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit për gratë, paqen dhe sigurinë, ngjarjet e Ditës së hapur globale janë të dizajnuara për të mbështetur dialogun e rregullt ndërmjet udhëheqjes së lartë të OKB-së dhe organizatave të grave anë e mbanë botës.

Konsultimet në Ditën e hapur globale ofrojnë një platformë ku mund të dëgjohet zëri i grave dhe ofrojnë mundësi për të shqyrtuar zbatimin e Rezolutës 1325.

Sot, Dita e hapur globale organizohet në mbarë botën dhe është pjesë e Raportit vjetor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për gratë, paqen dhe sigurinë.

Në edicionin e vitit 2019 në Kosovë do mbahet një panel dhe dy debate televizive që shtrihen në gamën e çështjeve dhe përvojave lokale, rajonale dhe globale, me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, udhëheqës të shoqërisë civile dhe politikanë që do të zhvillojnë një debat të fuqishëm.

Këtë vit, për herë të parë, Dita e hapur globale e OKB-së organizohet në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, pasi organizatat kërkojnë të rrisin më tej bashkëpunimin e tyre për gratë, paqen dhe sigurinë.

Po ashtu, është hera e parë që një ngjarje e tillë do të transmetohet në televizion, me një debat televiziv me panelistë të shquar e nën moderimin e Jeta Xharrës, ndërsa më vonë do të transmetohet nga Rrjeti Ballkanik për gazetari hulumtuese (BIRN).

TAGS