Benart Shala, pjesë e garës ndërkombëtare të arkitekturës (Video)

“Nevojitet më shumë se një perspektivë, për ta perceptuar një ndërtesë”, është motoja e cila e shoqëron  këtë 21 vjeçar, nga Prishtina, i cili së fundmi ka arritur  një sukses të jashtëzakonshëm.

Studenti i UBT-së, Benart Shala, është bërë pjesë e 100 arkitektëve të rinj nga e mbarë bota, me projektin e tij “Arkitektura nën efektin e fluturës”.

Ai ka thënë se këtë projekt e filloi për temën e diplomës, pa e ditur se një ditë do të jetë pjesë e një gare kaq të madhe.

“Ishte një modifikim i punës sime të diplomës. Punimi ka të bëj me një fenomen, ku një ndryshim në një sistem kompleks, ka efekte edhe në të ardhmen. Këtë lloje efekti kam dashur ta involvoj në arkitekturë”, deklaroi studenti Benart Shala.

“Platforma e arkitektëve të ardhshëm”, është një garë ndërkombëtare,  me seli në Lublanë të Sllovenisë, që mbledh idetë e arkitektëve, të cilët  do të  ndërtojnë qytetet e Evropës në vitet në vijim.

Në këtë edicion , kishin konkurruar 700 veta nga e mbarë bota, me 367 punime, në fushën e arkitekturës.

Benart Shala, ka thënë se kjo i jep motiv atij për të vazhduar tutje.

“Momentin që zgjidhem nga kandidatët në garë, automatikisht na ndihmon për të qenë në Konferencën e Lubjanës, ku prezantojnë më shumë se 20 organizata ndërkombëtare. Aty mund të lidhemi me ndonjë organizatë dhe të prezantojmë projekte në mbarë Evropën”, tha Shala.

Ideja e projektit të Benartit, është përjetimi ndryshe i arkitekturës në të ardhmen, të cilin e nxori në pah për afro tetë muaj.

Ai ka thënë se vetën në të ardhmen e sheh si arkitekt ndërkombëtar.

“Me thënë të drejtën, për mua është shumë e rëndësishme të jem përfaqësues i Kosovës krahas vendeve tjera. Të dinë edhe vendet tjera se ka cilësi në Kosovë”, tha Benart Shala./RTV Dukagjini/Telegrafi/

TAGS