Berisha e Rashkaj shpresojnë në fitore kundër Çekisë

Berisha e Rashkaj shpresojnë në fitore kundër Çekisë
22:29 | 2 Shtator 2019

Kombëtarja e Kosovës i ka nisur sot në mbrëmje përgatitjet për dy ndeshjet tejet të rëndësishme të këtij muaji.

Dardanët sfidën e parë do ta kenë më 7 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” ku takohen me Republikën e Çekisë, derisa tri ditë më pas do të përballen me Anglinë në Southampton, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020. Pikërisht ndeshja në Prishtinë do të jetë me rëndësi të madhe, duke pasur parasysh faktin se çekët llogariten si konkurrent direkt të Dardanëve për një vend që dërgon në Evropian. Në stërvitjen e parë përzgjedhësi Bernard Challandes ka pasur në dispozicion 14 futbollistë prej 22 sa i ka ftuar për këto dy ndeshje, derisa pjesa tjetër do t’i bashkohet ekipit në stërvitjen e nesërme. Për herë të parë me Kombëtaren është stërvitur prurja e re, Florent Muslija, derisa pas disa muajsh mungesë për shkak të lëndimit në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” ka zbritur Valon Berisha. Forma e futbollistëve duket e mirë, derisa entuziazmi për këto dy ndeshje vërehet tek të gjithë futbollistët.

Ndërkohë, pas stërvitjes në konferencë për media u paraqitën Valon Berisha dhe Anel Rashkaj. Mesfushori i Lazios ka theksuar se kundër Çekisë do të hyjnë për fitore. “Anglia dhe Çekia janë favoritë në grupin tonë, pasi kanë eksperiencë të madhe. Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme sidomos kjo në shtëpi kundër çekëve, që ma merr mendja që është çelësi i këtij grupi për neve. Ndërkaq në Angli nuk kemi çfarë të humbim, duhet të dalim e të luftojmë dhe të shohim çfarë mundemi të marrim. Nëse marrim një pikë është bonus, derisa fitorja është fantazi. Ma merr mendja që me mbështetjen e tifozëve do të shkojmë për fitore, pasi edhe ne tash njihemi mirë me njëri-tjetrin”, ka theksuar Berisha.

Ai ka thënë se ende nuk është në 100 përqind të formës, por beson se shumë shpejtë do të jetë në nivelin e tij më të mirë.

“Prej nëntorit nuk kam luajtur me Kombëtaren. Jam shumë krenar me rezultatet që i ka arritur Kosova. Ma merr mendja që askush nuk e ka pritur këtë sukses. Sa i përket formës ende nuk e kam atë nivel që e kam pasur, pasi 6 muaj kam qenë jashtë për shkak të lëndimit, por kam punuar shumë në stërvitje dhe pas çdo loje do e kthej formën”, theksoi Berisha.

Ndërkaq, Anel Rashkaj ka thënë se në këto dy ndeshje do të kenë përballë dy prej skuadrave më të forta në Evropë. “Janë skuadrat më të forta në grupin tonë. Jo vetëm në grupin tonë, por edhe në Evropë sidomos Anglia, por edhe çekët kanë kombëtare shumë të fortë dhe me një bagazh të madh në Evropian e Botëror. Do të jetë vështirë, por ne kemi treguar lojë të mira, prandaj duhet të shfrytëzojmë vetëbesimin që e kemi. Luajmë në shtëpi dhe publikun e kemi me veti dhe shpresojmë në rezultate pozitive”, ka thënë Anel Rashkaj.

TAGS