Berisha: Të anulohet formula e pranimit në Universitete. Reagon Peleshi

berishaIsh-kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës e tij nga foltorja e Kuvendit, gjatë seancës së sotme lëshoi akuza të ashpra ndaj qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit lidhur me situatën me të cilën përballen sot mijëra maturantë, që për shkak të reformës në arsim që sipas tij është një dështim i madh kanë humbur të drejtën për të shkuar në universitet.

Berisha i kërkoi Ministres Nikolla të paraqesë dorëheqjen, për krimin që po bëjnë ndaj tyre. “Thirrje me urgjencë të ngrihet Komisioni për të anuluar praktikën ultra korruptive të ndjekur nga Edi Rama për pranimet universitare. Thirrje sektorit privat, largoni tentakulat nga qeveria.  Ju qëndroni prapa saj se keni gjetur një të korruptuar si Edi Rama dhe kjo ndrikulla këtu”.

Sipas Berishës të rinjtë rrethuan sot institucionet shtetërore,  një gjë mjaft e rëndë që nuk ka ndodhur që nga viti 90, kjo pasi sipas institucionet shtetërore sot mbajnë një qëndrim mjaft armiqësor ndaj të rinjve.

“Si një njeri që ka kundërshtuar më shumë se kushdo pseudoreformën tuaj arsimore, sot do t’u them shqiptarëve të vërtetën. Ka ndodhur një akt i paimagjinueshëm. Mijëra gjimnazistë shqiptarë, përfshi edhe atë që u shpall elita më mirë në matura, kanë mbetur jashtë universiteteve. Rama dikur sulmonte arsimin privat, sot po i çon nxënësit me nota 10 tek privati. Unë isha nxitës i arsimit privat, që do të merrte ata që nuk plotësonin asnjë kriter për në publik”, tha Berisha.

Por pas akuzave të Berishës, ka reaguar zv/kryeministri Niko Peleshi, i cili ka thënë se asnjë maturant nuk do të mbesë pa universitet në këtë vit të ri shkollor.

“Janë 25 mijë kuota të lira dhe janë bërë 22 mijë aplikime. Nuk do të ketë asnjë maturant që do të mbesë ka shkuar në fakultete këtë vit, ndryshe nga ajo që u tha pak më parë, – theksoi Peleshi. – Pra, asnjë maturant nuk do të mbetet pa universitet. Kjo është tymnajë rreth situatës së maturantëve. Sa i takon pranimeve, kjo është vetëm faza e parë. Kjo po bëhet në mënyrë transparente ‘online’. Mos i manipuloni maturantët, edhe ata që po protestojnë në duke qenë të painformuar. Do të përfundojë procesi dhe situata do të sqarohet”, – ka qartësuar numri dy i qeverisë.

8 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

TAGS