18 Tetor 2018 / 11:51
Në kuadër të nisjes së negociatave për anëtarësimin e vendit në NATO, ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska e shoqëruar nga koordinatori nacional i Maqedonisë për anëtarësim në NATO, Stevo Pendarovski, sot janë pritur në selinë e NATO-s në Bruksel nga ndihmës sekretari i NATO-s, Allvargonzalle.
Fillojmë! Falënderime deri te ndihmës sekretari i NATO-s, Aleandro Allvargonzalle për pritjen para selisë së Aleancës. Negociatat qasëse në NATO fillojnë sot. Çfarë tjetër të dëshirojmë, përveç se sukses. Qytetarët e Maqedonisë e meritojnë këtë”, u shpreh Shekerinska në rrjetin social Facebook.
Maqedonia në Samitin e NATO-s në Bruksel në korrik edhe zyrtarisht mori ftesë për anëtarësim, ndërsa hyrja u kushtëzua me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.
Bisedimet e pranimit zakonisht zgjasin rreth tre muaj përpara se të nënshkruhet një protokoll i pranimit. Protokolli pastaj duhet të ratifikohet nga të gjithë anëtarët e tjerë të NATO-s, proces ky që zgjat rreth një vit.