Në fillimin e viteve ‘90 një çoban nga një fshat afër Fierit u kthye në tregtar të vogël nafte, falë kontrabandës së naftës me ish-Jugosllavinë, në pak kohë, ai u bë shumë i pasur dhe i fuqishëm ndër “tregtarët” e naftës. Ky ndryshim i menjëhershëm e bëri të mundur ndërtimin e një shtëpie të madhe dhe të bukur në fshat , si dhe blerjen e një nga veturat më të bukura të kohës. Një herë teksa ishte sëmurë, i ftohur i shkon ta vizitojë në shtëpi një tregtar tjetër nafte, në oborr të vilës gjen nënën e të sëmurit që kulloste delet. Teksa pyet per të zotin e shtëpisë ai shfaqet me një lëkurë dele, të cilën e kishte veshur si xhup, rreth trupit kundër ftohjes. Shtëpia dhe i zoti kundërmonin era bageti dhe mysafiri i thotë:
- “Po ti gjithë ky tregtar i madh akoma bagetitë në shtepinë ku jeton vetë i mban ?”
I zoti i shtëpisë ia pret mysafirit duke i thënë:
-“ Pavarësisht se kontrabanda e naftës po na shkon mbarë, le t’i mbaj bagetitë se une këtë zanat kam. Kontrabandës nuk i dihet si shkon, ndërsa bagetitë mbeten!
Tregetari nuk gaboi. Disa vite më vonë ra në fatkeqësi e vetem bagetite i mbeten.
Kjo histori të vjen ndërmend sa herë që vritet apo plagoset dikush, të cilat mediat e përshkruajnë si biznesmeni “ X” apo tregtari “filan”. Sa herë shfaqet në deklarata për shtyp zëdhënësja bukuroshe e OFL, e cila lexon emra subjektesh kriminale që duhet të paraqesin dokumentacionin e origjinës së pasurisë.
Fatkeqësisht shume prej tyre i kemi parë dhe në parlament, në kryesi bashkish e me siguri do vazhdojmë t’i shohim. Ajo çfare s’duhet të na mundë është e keqja edhe kur ajo vjen nëpërmjet parasë dhe pushtetit, ndaj gjërat duhen shkruar me emrin e tyre, ashtu siç jane trafikanti është trafikant dhe jo afarist apo ndërtues.
ANISA Bahiti