Blakaj: Çështja e krimeve të luftës nuk zgjidhet me rezoluta, por në dialog me Sebrinë

Blakaj: Çështja e krimeve të luftës nuk zgjidhet me rezoluta, por në dialog me Sebrinë

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar komisionin që i hap rrugë krijimit të një rezolute për të dënuar krimin dhe gjenocidin serb në Kosovë.

Bekim Blakaj nga Fondi për të drejtë humanitare në Kosovë, ka thënë për Telegrafin, se çështja e krimeve të luftës nuk mund të zgjidhet me rezoluta ad-hoc.

Ai ka thënë se një rezolutë e tillë nuk ndihmon në zbardhjen e krimeve që kanë ndodhur gjatë luftës.

“Në rend të parë çështja e krimeve të luftës nuk mund të zgjidhet me rezoluta ad-hoc. Dikush nga deputetët sot e përmendi që është rezoluta e tretë apo e katërt me radhë që ka të bëjë me krime të luftës. Një rezolutë e tillë nuk ndihmon shumë as në zbardhjen e krimeve që kanë ndodhur gjatë luftës, as në ofrimin e drejtësisë për viktima, dhe as në realizimin e drejtave të tjera të viktimave”, ka thënë ai.

Lexo po ashtu:

Blakaj ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa të tjerë për të dënuar krimet e luftës në Kosovë.

“Për ta trajtuar si duhet çështjen e krimeve të luftës, e krimeve kundër njerëzimit që kanë ndodhur 20 vite më herët, institucionet është dashur të marrin hapa institucional sistematik prej para shumë vitesh, jo me një rezolutë apo me krijimin e një komisioni ad hoc. Nuk e shoh që do të sjell ndonjë sukses të madh kjo rezolutë dhe krijimi i këtij komisioni”, është shprehur ai.

Sipas tij, Fondi për të drejtë humanitare në Kosovë, ka nxjerrë dy çështje kryesore si rekomandim për dënimin e krimeve të luftës.

“Ne si rekomandim i kemi nxjerrë dy çështje kryesore gjatë gjithë këtyre viteve. Njëra është çështja e personave të zhdukur, dhe çështja e drejtësisë, apo e ndjekjes penale e atyre që kanë bërë krime. Kjo është dashur të imponohet në dialogun me Serbinë. Aty ka mundur të bëhet më shumë edhe në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, por me imponimin e një lloj bashkëpunimi, që Serbia të pranoj Kosovën, respektivisht ta pranoj Prokurorinë e Kosovës, dhe, të pranoj ose t’i dorëzojë ata që kanë bërë krime ndaj të cilëve ka fakte, ose të gjykohen në Serbi, me faktet që i gjen prokuroria në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Lexo po ashtu:

Blakaj ndër të tjera tha se kjo temë asnjëherë nuk ka qenë në agjendën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Si duket kjo temë asnjëherë nuk ka qenë në agjendën e dialogut, dhe është prolonguar. Si pasojë qe 20 vite një numër i madh i familjeve ende nuk dinë për fatin e familjarëve të tyre që janë zhdukur gjatë luftës, dhe një numër shumë më i madh i familjeve nuk kanë pa drejtësi për vuajtjet dhe dëmet që u janë bërë gjatë luftës”, është shprehur ai.

Ndryshe themelimin e këtij komisionin e kanë votuar të gjitha partitë politike dhe prej 68 deputetëve sa ishin prezent në seancë, të gjithë votuan pro këtij komisioni./Telegrafi/

TAGS