Bojan Jovanovski – Boki 13 ishte takuar me ish prokuroren speciale Katica Janeva dhe kishte shkuar te ajo, në shtëpinë e saj, këtë e treguan filmimet nga masat PH të cilat sot po shfaqen në gjykatë në seancën gjyqësore për rastin “Reket” në të cilin të akuzuar janë Boki 13 dhe Janeva. Sipas mbrojtjes në filmimet nuk ka asgjë kontestuese.
“Të shohim Prokuroria se çfarë përfundime do të nxjerrë, por ne nuk shohim çfarëdo lloj dëshmie se me këto masa zbulohet diçka inkrimunuese për secilin nga të akuzuarit. Nuk shohim asgjë të çuditshme në këtë. Ata nuk fshehin se kishin kontakte”, theksoi Avokati i Janevës, Delo Kadiev.
Mbrojtja disa herë reagoi se prokuroria i shfaq në mënyrë joadekuate materialet nga masat PH, gjegjësisht se ajo që lexohet nuk përputhet me video xhirimet të cilat po shfaqen, si dhe se duhet më mirë të sqarohen dëshmitë.
Prokurorja Villma Ruskovska, tha se të tilla janë raportet e MPB-së, gjegjësisht i lexon siç i ka marrë.
Nga videot e prezantuara shihet se ishin ndjekur një veturë “porshe” me targa bullgare dhe një xhip me targa maqedonase. Shfaqeshin edhe xhirime nga bari “Intermeco”, restorant “Vodenica”, në rrethin e fabrikës “Ohis” dhe lokacione të tjera në Shkup në qershor të vitit 2019, kur ishin urdhrat për masat PH.
Rasti ndodhet në procedurën e dëshmive dhe e udhëheq gjykatësja Vaska Nikollovska-Masevska.
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në tetor të këtij viti ngriti aktakuzë kundër Bojan Jovanovskit, Katica Janevës dhe Zoran Milevskit.
I akuzuari i parë Jovanovski dyshohet se ka kryer vepër penale “larje të parave dhe të ardhura të tjera të veprave penale”, ndërsa Janeva dhe Milevski për “pranimin e çmimit për ndikimin e paligjshëm”. E akuzuara e dytë Janeva ngarkohet edhe se ka kryer edhe vepër penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.
Në seancën e parë gjyqësore për rastin “Reket”, që u mbajt më 3 dhjetor të vitit të kaluar, i akuzuari i tretë Zoran Muilevski-Kiçeec e pranoi fajin, pas çka ishte dënuar me tri vite burg.