Bolton në Izrael: Tërheqje me kushte nga Siria

Bolton në Izrael: Tërheqje me kushte nga Siria

Shtetet e Bashkuara ka thënë se vendimi i saj për t’i tërhequr trupat nga Siria ka patur si kusht ofrimin e sigurisë për kurdët në Siri nga ana e Turqisë.

Kështu ka thënë këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, John Bolton. Gjatë vizitës së tij në Izrael, Bolton po ashtu ka thënë se tërheqja e SHBA-së është kushtëzuar edhe me mposhtjen e militantëve të mbetur të Shtetit Islamik në Siri. Bolton është shprehur se nuk ka një afat të caktuar se kur SHBA-ja do të tërheqë trupat e saj nga Siria.

“Afati (për tërheqjen e trupave) varet nga vendimet politike që ne duhet të zbatojmë”, ka thënë ai, duke shtuar se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump “dëshiron që kalifati i IS-it të shkatërrohet”. Në një video-mesazh të postuar në Tëitter më 20 dhjetor, 2018, Trump kishte thënë se trupat amerikane “po kthehen”. “Ne kemi fituar kundër IS-it. Ne i kemi mposhtur”, kishte thënë ai.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis kishte dhënë dorëheqje pas vendimit të Trumpit për tërheqjen e trupave, teksa aleatët e NATO-s – përfshirë Francën dhe Gjermaninë – kishin thënë se ndryshimi drastik i kursit të SHBA-së ka vënë në rrezik luftën kundër IS-it dhe po ashtu ka vënë në rrezik milicitë kurde, të cilët kanë punuar me forcat amerikane në luftën kundër militantëve të IS-it.

Komentet e Boltonit janë të parat që konfirmojnë nga administrata amerikane se plani i tërheqjes së trupave është shtyrë, pasi që fillimisht mendohej se trupat do të tërhiqeshin brenda javësh./Top-channel.tv/