1 Janar 2019 / 15:45
E gjithë bota i ka thënë lamtumirë vitit 2018 dhe e ka pritur 2019-ën me fishekzjarrë të shumtë. Aucklandi në Zelandë të Re ishte qyteti i parë i madh që lansoi fishekzjarrët. Nga Kulla Sky 328 metra e lartë në Aukland vizitorët shijuan mrekullinë e fishekzjarrëve. Sipas këshillit të kryeqytetit, spektakli prej 500 kilogramë mjetesh piroteknike, është më i madhi në hemisferën jugore. Pastaj radha i takoi Australisë, që me një spektakël fishekzjarrësh në Sidnej dhe Okland shënoi hyrjen e 2019-s. Pas Australisë, viti i ri trokiti në Japoni, Korenë Jugore, atë Veriore, Filipine e Kinë. Në Japoni, fishekzjarrët u lëshuan përpara malit Fuzhi, ndërsa në Tokio qindra mijëra të rinj ndoqën numërimin mbrapsht në lagjen moderne Shibuja. Në të njëjtën mënyrë ndërrimi i viteve u prit në Seul të Koresë së Jugut, ku në qendër të qytetit nisi edhe një koncert. Festival fishekzjarrësh edhe në Dubai, Londër, Edingburg dhe Rio de Zhanero. Festa e Vitit të Ri, është festuar gjallëri edhe në Zvicër. Mbi 150 mijë vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit kremtuan Vitin e Ri. Në krahasim me Cyrihun, kryeqyteti zviceran Bern, nuk pati fishekzjarrë. Austriakët e kanë pritur festën e Vitit të Ri, duke shpenzuar rreth 200 milionë euro. Vetëm në Vjenë kanë festuar rreth 700,000 njerëz në “Udhëtimin e Vitit të Ri” tradicional. Në natën e ndërrimit të viteve nuk ka pasur vetëm festë, kanë ndodhur edhe incidente të shumta në botë. Në një nga rrugët e Tokios një kamion i vogël goditi disa këmbësorë që po festonin Vitin e Ri. Në Holandë dy persona kanë vdekur në aksidente nga përdorimi i fishekzjarrëve gjatë natës së Vitit të Ri. Në province e Milanos, një i ri ndodhet në gjendje të rëndë pas humbjeve të duarve dhe plagosjes në kokë, ndërsa në Napoli sipas bilancit të policisë të plagosurit kanë qenë 37 persona.
Elmedina Aliji