Alsat 2019-11-22T15:56:40+01:00
Këshilli i Prokurorëve nuk mund të konstatojë përgjegjësi te prokurorja Villma Ruskovska. Anëtarët e këtij organi diskutuan njoftimin e Apelit të Shkupit, me mesazhin kërcënues “do t’ua shkund brekët”, por edhe versionin e saj me shkrim duke shpjeguar se pse ka reaguar ashpër, sepse Katica Janeva, në vend që të jetë në Shutkë, do të jetë nën arrest shtëpiak. Qëndrimi i Këshillit është se Prokurori i Shtetit, Ljubomir Jovevski mund të kërkojë përgjegjësi nga shefja e prokurorisë për krim të organizuar. Jovevski për Alsat shpjegon se edhe ai kishte marrë një letër nga Ruskovska, me versionin e saj të mesazhit SMS, dërguar gjykatësve të Apelit. Për më tepër, në Prokurorinë Publike do të vlerësojnë nëse ka kushte për të filluar procedurë disiplinore kundër Ruskovskës. Ndërkohë, dramën mes Ruskovskës dhe Apelit, për të tretën ditë me radhë Katica Janeva, e ndjek nga shtëpia. Sidoqoftë, reagimet për arsyen pse nuk gjendet në qeli nuk pushojnë. Opozita është më e zëshmja.
Është e qartë se Katica Janeva është lëshuar me urdhëresë të Zoran Zaevit vetëm që të mos flasë për përzierjen e kreut politik të LSDM-së dhe pushtetit në rastin Reket. Gjithë atë që e ceki Apeli bie në ujë – deklaroi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-së.
Gjykata e Apelit e publikoi vendimin me të cilin Janevës arresti nga burgu iu zëvendësua me arrest shtëpiak. Gjykatësit kanë vlerësuar se shëndeti i saj është përkeqësuar, e aq më tepër, ajo është edhe nënë e vetme. Alsat dje informoi se fillimisht Gjykata e Apelit nuk e ka pranuar garancinë prej 160 mijë eurove që Janeva të mbrohet në liri. Shuma ka qenë e vogël. Edhe Prokuroria e lartë ka vlerësuar se 160 mijë euro janë pak. Apeli mes tjerash vendimin e arsyetoi edhe me masat e shtuara të kujdesit si dhe me hetimin tashmë të përfunduar për rastin “Reket” dhe me atë se është ngritur aktakuzë.
Bojan Stojanovski
Loading…