Brukseli beson se vendimi për amnisti i Ivanovit mbron rrethin e ngushtë të VMRO-së

Gazeta amerikane “Wall Street Journal” jep alarmin për çmimin që do të duhet të paguajë vendi, në rast të mos tërheqjes së vendimit të presidentit Ivanov për amnistimin e 56 zyrtarëve.

Në një artikull me titullin: “Amnistia nga presidenti i Maqedonisë shkakton trazira civile”, mes të tjerash kjo gazetë citonte një zyrtar të lartë të BE-së, i cili ka thënë se “vendet perëndimore mund të veprojnë në mënyrë më agresive ndaj kreut të VMRO-së Nikolla Gruevski dhe zyrtarëve të tjerë të lartë maqedonas, nëse vendimi për amnisti nuk tërhiqet nga Ivanovi. Mes ndëshkimeve të mundshme janë në diskutim ndalimi i udhëtimit të zonën Shengen të BE-së për të gjithë zyrtarët maqedonas, tërheqja e asistencës për Shkupin ndaj krizës me emigrantët si dhe ndalesë e mbështetjes për anëtarësimin e vendit në BE e NATO.”

Wall Street Journal vazhdon më tej, kur nënvizon se Brukseli beson se vendimi për amnisti i presidentit Ivanov kishte për qëllim mbrojtjen e një rrethi të ngushtë të VMRO-së në pushtet, si dhe kreut të partisë Gruevski. Madje, disa diplomatë në Shkup thonë se ndoshta, presidenti Ivanov ka vepruar vëretet pa pëlqimin e VMRO-së.

Në komentin e kësaj gazete theksohet se tensionet nënvizojnë shqetësimet e BE-së reth kthesës që mund të përjetojë vendi në drejtimin nacionalist dhe autoritar, sikurse një pjesë tjetër e vendeve post-komunite të Evropës Lindore, vitet e fundit.