Bujqit e komunës së Gazibabës dhe Haraçinës kërkojnë takim me kryeministrin teknik Oliver Spasovki. Ky takim ka të bëjë me atë që sipas tyre të kërkojnë zgjidhje institucionale për problemin e tyre rreth mos pagesës së dëmeve bujqësore, që u janë bërë në vitin 2016. Në qoftë së kryeministri nuk i pranon deri ditën e mërkurë, bujqit e këtyre dy komunave kërcënojnë se do të protestojnë, mirëpo këtë herë siç paralajmërojnë do të jenë më të rrepta.
Adnan Ajrullahu, kryetar i këshillit inicues të protestave thotë se këtë herë do të bllokojnë hyrjen dhe daljen nga Shkupi.
Adnan Ajrullahu, kryetar i këshillit inicues
“Ne sot si këshill iniciativ për protesta bëmë edhe zyrtarisht një kërkesë me shkrim deri tek kryeministri. Shpresojmë deri nesër, sipas konkluzioneve tona të ditës së premte, në qoftë se nuk ka rezultat, ne të mërkurën paraqesim në polici, ndërsa me protesta vazhdojmë ditën e ejte dhe të premte çdo ditore. Mirëpo, tash do të jenë, të them më të rrepta protestat”.
Ai shpreson që ky problem të zgjidhet pasi siç thotë, shumë familje kanë marrë borxhe për harxhime bujqësore dhe pronarët e këtyre të fundit u janë kërcënuar se do t’i padisin me përmbarues, nëse nuk ua pagujnë borxhet e 2016-tës.
Adnan Ajrullahu
“Shpresojmë që do të gjejmë mënyrë se si ta zgjedhim këtë problem. I kisha lutur edhe qytetarët, se është motoja të ndihmojmë bujqit tanë, të marrin pjesë në ato protesta për hirë, se kanë nevojë qytetarët, posaçërisht ato që merren me bujqësi, kanë probleme shumë të mëdha familjare”.
Bëhet fjalë për 1.5 milionë euro, mjete të cilat duhet t’u jepen bujqëve të territorit të komunës së Gazibabës, në formë të kompensimit të dëmit të shkaktuar nga breshri. Në mënyrë shtesë do duhet të kompensojnë edhe bujqit e Haraçinës.
Të premten e kaluar bujqit bllokuan hyrjen e Shkupit në formë proteste dhe thanë se protesta do të vazhdojë deri sa të arrijnë në zgjidhjen e problemit.