Burimet e larta në LSDM konfirmojnë: Deklarata për media nuk do të thotë që kemi marrëveshje me BDI

Burimet e larta në LSDM konfirmojnë: Deklarata për media nuk do të thotë që kemi marrëveshje me BDI

Disa media sonte raportuan se LSDM dhe BDI tashmë kanë rënë dakord të formojnë një qeveri të re, duke përcjellë letrën me shkrim të LSDM-së pas takimit të sotëm të Sekretarit të tyre të Përgjithshëm Ljupco Nikolovski me Artan Grubin nga BDI. Në këtë shkrim, mes tjerash thuhej se LSDM pajtohet me BDI për disa parime mbi të cilat duhet të mbështetet “programi i mundshëm i qeverisë së përbashkët”, por nuk precizohej asgjë se kush do të drejtojë qeverinë, duke pasur parasysh kërkesën e BDI-së për kryeministër shqiptar, raporton Almakos.

Ndërkohë, sonte një burim i lartë në LSDM për “360stepeni.com” ka thënë se letra me shkrim për media e publikuar pas takimit Nikolovski-Grubi nuk do të thotë se është arritur një marrëveshje përfundimtare për të formuar qeveri. Megjithatë, i njëjti burim nuk dëshironte të zbulonte se në cilën fazë kanë arritur negociatat dhe nëse ka ndonjë çështje të mundshme problematike, transmeton Almakos.

Takimi Nikolovski-Grubi vjen pas dy takimeve të liderëve të LSDM-së dhe BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti.

Zaev ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka ndërmend të negociojë nën shantazhe, dhe pastaj se “kryeministri nuk fitohet me 15 deputetë”, për të cilin ka marrë një përgjigje nga Ahmeti se “kryeministri nuk fitohet as me 46 deputetë”.

Të mërkurën, kreu i LSDM-së gjithashtu u takua me udhëheqësit e koalicionit Alternativa-Aleanca, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi. Kryetari i i Alternativa, Gashi, në daljen e sontme në TV Kanal 5 tha se koalicioni AAA-ASH do të hynte në negociata me LSDM-në nëse BDI nuk i përmbahet kryeministrit të premtuar shqiptar. Gashi ka theksuar se koalicioni ASH-AAA do ta përkrahë BDI-në nëse mer mandat për Naser Zyberin kryeministër, por nëse jo, duhet të shkojnë në opozitë, sepse do të rezulton që kanë gënjyer votuesit shqiptarë./Almakos